Samiti virtual i shumëpritur ndërmjet presidentit amerikan Joe Biden me presidentin kinez Xi Jinping pritet të zhvillohet të hënën, thonë njerëz të njohur me këtë çështje.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, bisedimet vijnë mes tensioneve të rritura mbi Tajvanin, tregtinë dhe të drejtat e njeriut.
Në të njëjtën kohë, SHBA dhe Kina zbuluan një pakt të papritur këtë javë për klimën, duke nënvizuar disa fusha bashkëpunimi.
Biden kishte shpresuar dikur për një samit personal me Xi, por udhëheqësi kinez nuk është larguar nga Kina për gati dy vjet.
Takimi do të jetë i pari i Biden-it me Xi-n që kur ai u bë president në janar, dhe vjen pasi Xi la të kuptohet për një ngrohje të lehtë të marrëdhënieve me SHBA-në, sipas një deklarate të publikuar në faqen e internetit të ambasadës kineze në SHBA të martën.
Në letër, Xi tha se Kina është e gatshme të “rrisë shkëmbimet dhe bashkëpunimin” me SHBA dhe të kthejë marrëdhëniet midis dy fuqive botërore në rrugën e duhur.
Hera e fundit që Biden dhe Xi folën ishte në shtator, në një telefonatë që zgjati afërsisht 90 minuta. /Telegrafi/