Telegrafi

Biden pranon se mund t’i duhet të heqë dorë nga gara për President?

Joe Biden ka filluar të pranojë idenë se ai mund të mos jetë në gjendje të fitojë zgjedhjet në SHBA dhe mund të duhet të largohet nga gara, raporton New York Times.

Disa njerëz të afërt me presidentin i kanë thënë gazetës amerikane se ai ka filluar të pranojë se mund të mos fitojë pasi presioni mbi të është ngritur për të hequr dorë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Një burim tha se “realiteti është duke u vendosur” dhe nuk do të ishte befasi nëse ai miratonte Kamala Harris si zëvendësuesin e tij.

Ky pretendim vjen pas deklarimeve se tërheqja e Joe Biden nga gara presidenciale mund të ndodhë këtë fundjavë.

Kjo ishte thënë nga një donator i partisë Demokratike për Sky News.

“Unë jam në kontakt me shumë donatorë demokratë dhe demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatit dhe nuk mund të gjej një person të vetëm që mbështet Joe Biden që të mbetet si i nominuar”, citohet të ketë thënë ai.

E pyetur nëse kjo është çështje kohe, ai ka thënë: “Ka shumë gjasa këtë fundjavë”. /Telegrafi/