Site icon Telegrafi

Biden planifikon zëvendësimin e flotës së 645 mijë veturave të qeverisë, me modelet e veturave të reja elektrike amerikane

Presidenti amerikan Joe Biden është zotuar për ta zëvendësuar flotën e veturave të qeverisë amerikane, që numëron 650 mijë sosh me modelet e reja të veturave amerikane elektrike – me qëllim që të inkurajon përdorimin e “energjisë së pastër”.

Pavarësisht kësaj, ai nuk ka dhënë një afat kohor për zëvendësimin e tyre apo edhe koston e një veprimi të tillë, transmeton Telegrafi.

Biden tha se “elektrifikimi” i flotës amerikane, do të hapte vende të reja pune për prodhuesit amerikanë të veturave dhe do të rriste mobilizimin e investimeve publike.

“Elektrifikimi i flotës do të hapte miliona vende pune, në veçanti në fushën e energjisë së pastër. Qeveria federale ka në pronësi një flotë gjigante të veturave që do të zëvendësohen me ato të reja elektrike që do të prodhohen në Shtetet e Bashkuara nga punëtorët amerikanë”, ka shtuar Biden.

Siç raporton Reuters, ky zëvendësim mund t’i kushtojë qeverisë amerikane hiq më pak se 20 miliardë dollarë. E kjo po cilësohet si një detyrë dhe sfidë e madhe për qeverinë amerikane, pasi aktualisht përdor vetëm 3.215 vetura elektrike.

Megjithatë nuk dihet nëse në zëvendësimin e flotës së veturave, do të përfshihet edhe limuzina presidenciale e njohur si “Bisha” që prodhohet nga Cadillac.

Në vitin 2019, janë regjistruar 645 mijë vetura që janë pronë e qeverisë amerikane dhe që kanë përshkuar 4.5 miliardë milje e shpenzuar 375 milionë galonë benzinë dhe naftë. Aty përfshihen 245 mijë vetura civile, 173 mijë ushtarake dhe 225 mijë të postës. /Telegrafi/

Exit mobile version