Presidenti i SHBA-së, Joe Biden do të nxisë vendet perëndimore t’i kundërvihen rritjes së ndikimit të Kinës në ditën e dytë të samitit të G7.
Presidenti Biden pritet të bëjë thirrje për një aleancë të re për të rivalizuar shpenzimet e Pekinit për infrastrukturën në vendet në zhvillim.
SHBA dhe aleatët e saj akuzojnë Kinën për punë të detyruar dhe abuzime të tjera të të drejtave të njeriut në provincën Xinjiang.
Në fillim të këtij viti, SHBA., Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Kanada vendosën sanksione të koordinuara ndaj Kinës, raporton bbc.
Sanksionet, përfshirë ndalimet e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve, synuan zyrtarë të lartë në Xinjiang të cilët janë akuzuar për shkelje serioze të të drejtave të njeriut kundër myslimanëve ujgurë.
Më shumë se një milion ujgurë dhe pakica të tjera vlerësohet të jenë arrestuar në kampe në provincën veri-perëndimore. Qeveria kineze është akuzuar për kryerjen e sterilizimeve të detyruara mbi gratë ujgure dhe ndarjen e fëmijëve nga familjet e tyre. /Telegrafi/