Site icon Telegrafi

Biden nuk e sheh si provokim lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut

residenti amerikan Joe Biden ka thënë se nuk e konsideron provokim, lëshimin e raketave me rreze të ulët nga ana e Koresë Veriore.

Biden ka thënë se zyrtarët amerikanë për mbrojtje e kanë konsideruar këtë hap “gjë normale”.

Koreja Veriore është raportuar të ketë lëshuar në fundjavë raketa jobalistike, të cilat nuk shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ky incident ka ndodhur pasi Pheniani ka kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe Korenë Jugore për kryerje të ushtrimeve të përbashkëta ushtarake.

Lëshimi i raketave, që fillimisht është raportuar nga mediat amerikane, është konfimuar nga zyrtarë amerikanë dhe jugkoreanë, raporton evropaelire.

Koreja Jugore ka thënë se dy raketa janë lëshuar në Detin e Verdhë të dielën.

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat kanë rezultuar me sanksione të ashpra ndaj Koresë Veriore, vetëm ia kanë ndaluar Phenianit që të lëshojë armë kërcënuese, siç janë raketat balistike.

Qeveria amerikane ka tentuar të krijojë kontakt diplomatik me Korenë Veriore tash e disa javë.

Marrëdhëniet në mes të dyja shteteve janë të tensionuara, për shkak të programeve të raketave balistike.

Gjatë fushatës zgjedhore në Shtetet e Bashkuara, Biden e ka quajtur liderin verikorean Kim Jong Un, “bandit” dhe ka thënë se Koreja Veriore duhet të çarmatoset para se këtij shteti t’i hiqen sanksionet ekonomike të SHBA-së dhe OKB-së.

Exit mobile version