Site icon Telegrafi

Biden i kërkon Serbisë njohjen e Kosovës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden, në një letër urimi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, ka kërkuar nga ai arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që do të përqendrohet në njohjen reciproke.

Siç njoftojnë mediat serbe, në letrën e tij presidenti amerikan, duke uruar presidentin Vuçiq me rastin e Ditës së Shtetësisë të Serbisë, ka konfirmuar mbështetjen amerikane në integrimin evropian të Serbisë.

Biden në letrën e tij veçanërisht theksoi mbështetjen e SHBA-së për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes  Kosovës dhe Serbisë, e cila përqendrohet në njohjen reciproke, transmeton Telegrafi.

“Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet ndër tjerash në letrën e Biden.

Mediat serbe shkruajnë se, ndërsa bëhet fjalë për urimin për Ditën e shtetësisë së Serbisë nga Shtëpia e Bardhë, që janë kryesisht protokollare, një mesazh i llojit të tillë u dërgua për herë të parë, në të cilin apostrofohet se zgjidhja e çështjes së Kosovës me njohje reciproke ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pritet që Vuçiq sot t’i përgjigjet këtij mesazhi.

15 shkurti është dita e shtetësisë së Republikës së Serbisë. /Telegrafi/

Letra ku Biden i kërkon Vuçiqit njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi

 

Exit mobile version