Presidenti i zgjedhur në SHBA, Joe Biden, duke rikujtuar se nuk do të mund të ulet në postin e presidentit deri më 20 janar të vitit 2021, ka kërkuar nga administrata e presidentit Donald Trump që të kalojë menjëherë në veprim kundër rasteve të coronavirusit të ri (COVID-19) që rriten me shpejtësi në vend.
Në një deklaratë pas takimit me ekipin që ka formuar për luftën kundër COVID-19, Biden theksoi presionin që sa vjen e rritet për spitalet dhe punonjësit e shëndetësisë për shkak të rasteve në rritje.
Biden tha se do të duhen muaj për vaksinimin në të gjithë vendin, edhe pse vaksina COVID-19 e kompanisë farmaceutike amerikane Pfizer ka shënuar zhvillim pozitiv, transmeton Anadolu Agency.
“Për këtë krizë nevojitet një ndërhyrje emergjente federale, por fatkeqësisht që prej një kohe të gjatë kjo nuk ka qenë e mundur. Unë u zgjodha president, por deri në vitin tjetër nuk jam president. Pandemia nuk sheh datën në kalendar, ajo shpërndahet me shpejtësi. Qeveria duhet të kalojë menjëherë në veprim”, tha Bdiden.
Ndër të tjera, Biden paralajmëroi popullin amerikan që t’i përmbahet distancimit social dhe të mbajnë maskat.
Në valën e dytë të COVID-19, në javën e fundit në SHBA po regjistrohen më shumë se 100 mijë raste për çdo ditë.
Sipas “Worldometers”, e cila përpilon të dhënat lidhur me COVID-19, në SHBA janë konfirmuar mbi 11 milionë të prekur nga coronavirusi, ndërsa mbi 249 mijë e kanë humbur jetën.