Presidenti amerikan, Joe Biden, ka ftuar homologët e tij Xi Jinping të Kinës dhe Vladimir Putin të Rusisë në një samit virtual të klimës që ai do të organizojë në prill, njoftoi Shtëpia e Bardhë të premten.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në përgjithësi, 40 udhëheqësve botërorë u është kërkuar të marrin pjesë në takimin dy-ditor për të shënuar kthimin e Uashingtonit në vijat e para të luftës kundër ndryshimeve klimatike të bëra nga njeriu, pasi ish-presidenti Donald Trump u shkëput nga procesi.
“Ata e dinë që janë të ftuar”, tha Biden për Xi dhe Putin. “Por unë ende nuk kam folur me asnjërin prej tyre”.
Fillimi i samitit në 22 prill përkon me Ditën e Tokës dhe do të vijë përpara një takimi të madh të OKB-së për ndryshimin e klimës të planifikuar për nëntor në Glasgow, Skoci.
Siç bëhet e ditur më tej, samiti do të “vihet në skenë tërësisht përmes internetit” për shkak të pandemisë së coronavirusit.
Ndryshe, Biden mbajti zotimin e fushatës së tij për t’u bashkuar me marrëveshjen e klimës së Parisit në ditën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, pasi Trump u tërhoq nga marrëveshja.
Kthimi i vendit me ekonominë më të zhvilluar në botë dhe emetuesit të dytë më të madh të dioksidit të karbonit u bë efektiv në 19 shkurt, dhe do të thotë që pothuajse të gjitha kombet e botës janë tani palë në marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2015.
Në kohën e takimit të nivelit të lartë, SHBA do të ketë njoftuar “një objektiv ambicioz të emetimeve të vitit 2030”, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, dhe do të inkurajojë të tjerët të rritin “objektivat” e tyre nën marrëveshjen e Parisit gjithashtu. /Telegrafi/