Ashtu siç edhe u raportua më herët, zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është takuar sot me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi se Biden dhe Jahjaga janë pajtuar për nevojën urgjente që të gjitha partitë politike të Kosovës të mbështesin një dialog paqësor dhe të punojnë brenda Kuvendit të Kosovës të zgjedhur në mënyrë demokratike për të shtyrë përpara reformat për adresimin e nevojave të qytetarëve të Kosovës.
LEXO PO ASHTU: Jahjaga në takim me zv/presidentin Biden, krenare që forcoi miqësinë e Kosovës me SHBA-të (Foto)
Zëvendëspresidenti amerikan ka theksuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja me Serbinë, dhe ka inkurajuar qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj të vazhdueshme për të shtyrë përpara procesin e normalizimit.
Biden ka falënderuar Jahjagën për përpjekjet e saj për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe për udhëheqjen e saj në forcimin e demokracisë së Kosovës, dhe ka theksuar angazhimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara për një Kosovë sovrane, multietnike dhe demokratike, që është plotësisht e integruar në komunitetin ndërkombëtar.