Presidenti amerikan, Joe Biden foli me ish-presidentin Bill Clinton të premten mbrëma pasi Clinton ishte shtruar në spital për një infeksion.
Clinton u pranua në njësinë e kujdesit intensiv të Universitetit të Kalifornisë Irvine të martën për një infeksion të traktit urinar që iu përhap në qarkullimin e gjakut, thanë mjekët për CNN.
“Epo, doja të shihja se si po kalonte. Ai po bën mirë, me të vërtetë është mirë”, u tha Biden gazetarëve në Connecticut dhe shtoi “Dhe ai do të dalë nga spitali. Ne biseduam paksa”.
Biden pranoi se nuk e kishte parë Clinton “për një kohë të gjatë”, por tha se mezi po e priste që “të vinte dhe të hante drekë. Ishte shumë inkurajues me politikat që unë ndjek”.
“Ai nuk është në ndonjë gjendje të rëndë. Ai do të largohet së shpejti, siç e kuptoj unë. Ndoshta pasnesër, nuk e di saktë”, tha Biden.
Raportohet se të dy burrat diskutuan për zgjedhjet e ardhshme dhe garën e ngushtë të guvernatorit në Virginias, ku miku i vjetër i Clinton, Terry McAuliffe, po kandidon në një garë pasuese kundër republikanit të miratuar nga Trump, Glenn Youngkin.
Ish-presidenti ishte në Kaliforni për një ngjarje private dhe ishte ndjerë i lodhur. Ai u pranua në spital pas testimit, sipas zyrës së tij. /Telegrafi/