Telegrafi

Biden fillon turneun në tri vende evropiane – pjesa kryesore e udhëtimit do të jetë samiti i NATO-s

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka nisur një udhëtim në tri vende në Evropë, të dominuar nga një samit i NATO-s që synon të tregojë solidaritet me Ukrainën mes mosmarrëveshjeve rreth pranimit të mundshëm të Kievit në aleancë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Biden u largua nga baza e Forcave Ajrore Dover në Delaware dhe mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar, një aleat kyç i SHBA-së, të dielën vonë.

Presidenti amerikan do të takohet të hënën me mbretin Charles të Mbretërisë së Bashkuar për herë të parë që nga kurorëzimi i tij në maj, tha Shtëpia e Bardhë, për të zhvilluar bisedime duke u fokusuar në çështjet mjedisore.

Biden do të takohet gjithashtu me kryeministrin Rishi Sunak në 10 Downing Street. Zëdhënësi i Sunak tha se diskutimet e tyre ka të ngjarë të përfshijnë samitin e ardhshëm të NATO-s dhe Ukrainën.

Por pjesa kryesore e udhëtimit të Bidenit në Evropë do të jetë samiti i NATO-s në kryeqytetin lituanez të martën dhe të mërkurën, kur aleatët perëndimorë do të diskutojnë për ndihmën ndaj Ukrainës për të larguar forcat pushtuese ruse.

Biden pritet të përdorë samitin gjithashtu për t’i bërë presion Turqisë që të heqë dorë nga kundërshtimi ndaj aplikimit të Suedisë për anëtarësim në NATO, pasi Ankaraja akuzoi Stokholmin se është shumë i butë ndaj grupeve që i konsideron si kërcënim të sigurisë, duke përfshirë grupet e armatosura kurde dhe njerëzit e lidhur me një përpjekje për grusht shteti të vitit 2016.

Ndërsa ndalesa e fundit e Biden do të jetë në Helsinki për bisedime me liderët e anëtarit më të ri të NATO-s, Finlandën, dhe për të marrë pjesë në një samit të liderëve amerikanë dhe nordikë.

Ai do të jetë presidenti i parë amerikan që viziton Helsinkin që kur Donald Trump shkoi pesë vjet më parë për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin. /Telegrafi/