Zhgënjimi i presidentit të SHBA-së, Joe Biden me kryeministrin izraelit duket se arriti “pikën maksimale” këtë pranverë për sjelljen e Benjamin Netanyahu në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.
Kështu së paku zbulon një libër i ri i shkruar nga gazetari i njohur amerikan Bob Woodward, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Libri, i cili do të dalë zyrtarisht javën e ardhshme, thotë se Biden lëshoi disa akuza mbi Netanyahun pasi ushtria izraelite hyri në Rafah duke e quajtur atë “gënjeshtar” dhe “djalë të keq”, duke thënë se udhëheqësi izraelit nuk kishte “asnjë strategji”.
Woodward raportoi se Biden tha se mendonte se Netanyahu e kishte gënjyer rregullisht, duke shtuar se Biden kishte kërcënuar se do të ndalonte armët amerikane pasi Netanyahu u bë gjithnjë e më kërcënues për Hamasin.
Megjithatë, kujtojmë se Biden ka shprehur publikisht mbështetje për Izraelin, shpesh përballë kritikave ndërkombëtare, ndërsa Izraeli vazhdon bombardimet e Rripit të Gazës duke vrarë mbi 41,000 njerëz sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Dhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Emilie Simons, u tha gazetarëve të martën se “angazhimi që kemi ndaj shtetit të Izraelit është i hekurt”.
Ajo shtoi se Biden dhe Netanyahu kanë një “marrëdhënie afatgjatë. Ata kanë një marrëdhënie shumë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë, dhe unë nuk kam një koment për ato anekdota specifike”. /Telegrafi/