Joe Biden takohet me presidentin kinez Xi Jinping për herë të fundit si president i SHBA-së, por qëllimi i liderëve për të ulur tensionet përpara inaugurimit të Donald Trump sfidohet nga konfliktet e reja mbi krimin kibernetik, tregtinë, Tajvanin dhe Rusinë.
Bëhet e ditur se Biden dhe Xi do të mblidhen në margjinat e forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Lima, Peru – për bisedimet e tyre të para në shtatë muaj – ku udhëheqësit e Paqësorit po vlerësojnë implikimet e kthimit të Trumpit në pushtet si president i SHBA-së në janar.
Por, koha e takimit të tyre nuk është bërë e ditur, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë, Uashingtoni është i indinjuar nga rritja e presionit nga Pekini ndaj Tajvanit dhe mbështetja kineze për Rusinë.
Kina e sheh Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si territorin e saj.
Ndërsa SHBA-ja është mbështetësi dhe furnizuesi më i rëndësishëm ndërkombëtar i Tajvanit me armë, pavarësisht mungesës së njohjes zyrtare diplomatike.
Në të njëjtën kohë, ekonomia e Pekinit po merr një goditje të fortë nga hapat e Bidenit në tregti, duke përfshirë një plan për të kufizuar investimet e SHBA-së në Al kineze, kufizimet e eksportit e çipat kompjuterikë.
Të gjitha këto tema pritet të përfshihen në bisedime, njoftuan zyrtarët amerikanë.
Ndryshe, Trump është zotuar të miratojë tarifa totale prej 60% për importet amerikane të mallrave kineze, si pjesë e paketës së masave tregtare “America First”.
Presidenti i zgjedhur republikan gjithashtu ka në plan të punësojë disa zëra të ashpër për Kinën në role të larta, duke përfshirë Senatorin amerikan Marco Rubio si Sekretar i Shtetit dhe përfaqësuesin Mike Waltz si këshilltar për Sigurinë Kombëtare. /Telegrafi/