Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në fjalimin lamtumirës si president, ka bërë thirrje për një amendament kushtetues që do të kufizonte imunitetin presidencial.
Ai në këtë formë ka synuar qartazi të godasë pasardhësin e tij, Donald Trump.
“Ne duhet të ndryshojmë Kushtetutën për të bërë të qartë se asnjë president, asnjë president, nuk është imun ndaj krimeve që kryen gjatë mandatit të tij”, tha 82-vjeçari nga Zyra Ovale.
“Pushteti i presidentit nuk është i pakufizuar. Nuk është absolut. Dhe nuk duhet të jetë i tillë”, theksoi ai.
Biden të hënën do t’ia dorëzojë detyrën presidenciale Trumpit, republikanit që në zgjedhjet e nëntorit siguroi një fitore bindëse.
Në muajin korrik, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara vendosën me një votim 6-3 se ish-presidentët gëzojnë imunitet të gjerë ndaj ndjekjeve penale për veprime zyrtare, gjë që përbën një fitore të madhe për Trumpin.
Kongresi mund të përmbysë këtë vendim të rëndësishëm përmes një amendamenti kushtetues, por dihet që ky proces është shumë i vështirë për t’u zbatuar, pasi kërkon mbështetjen e dy të tretave në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, si dhe ratifikimin nga 75 për qind e shteteve federale. /Telegrafi/