Site icon Telegrafi

Biden deklarohet për tre objektet e tjera të paidentifikuara që i rrëzoi SHBA-ja, thotë se mund të kenë qenë private

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë në një konferencë shtypi se SHBA-ja ka vëzhguar më nga afër hapësirën e saj ajrore që kur balona e dyshuar e spiunazhit kinez fluturoi mbi disa shtete pak më shumë se një javë më parë. Më pas ai foli për tre objektet e tjera shtesë.

“Me rekomandimin e tyre, unë dhashë urdhrin për të rrëzuar këto tre objekte për shkak të rreziqeve për trafikun ajror civil dhe sepse nuk mund të përjashtonim rrezikun e vëzhgimit të objekteve të ndjeshme”, thotë ai.

Biden vazhdon të thotë se ushtria amerikane dhe kanadeze janë ende duke rikuperuar mbeturinat për të mësuar më shumë rreth tre objekteve, transmeton Telegrafi.

Ai thotë se janë ende duke i vlerësuar objektet dhe i raportojnë atij çdo ditë.

Biden thekson se SHBA-ja ende nuk e di saktësisht se çfarë janë këto objekte, por asgjë nuk sugjeron se ato ishin nga programi i balonave të spiunazhit të Kinës.

Vlerësimi i fundit është se ato ishin balona private, thotë Biden.

Biden thotë se i kërkoi komunitetit të tij të inteligjencës që të marrë një vlerësim më të gjerë të fenomeneve ajrore të paidentifikuara.

Ai thotë se nuk ka prova të “një rritje të papritur” në këto pamje, por ato janë një nënprodukt i rritjes së radarëve amerikanë për zbulimin e tyre.

“Por nëse ndonjë objekt përbën një kërcënim për sigurinë e popullit amerikan, unë do ta eliminojë atë”, thotë ai.

Ai thotë se dokumentet në lidhje me këto politika do të mbeten të klasifikuara, por do të ndahen me Kongresin e SHBA-së së shpejti.

Biden theksoi se qeveria do të përshkruajë tre synime për të ndihmuar në sigurimin e hapësirës ajrore të Amerikës.

Së pari, Biden u shpreh se do të krijojnë një inventar më të mirë të objekteve pa pilot mbi SHBA dhe se ky do të jetë i aksesueshëm dhe i përditësuar.

Së dyti, për të zbuluar më mirë objekte të mëtejshme pa pilot në hapësirën ajrore amerikane.

Së treti, për të përditësuar rregullat dhe rregulloret për objektet pa pilot mbi SHBA.

Biden thotë se administrata e tij ka vendosur kufizime ndaj gjashtë firmave kineze që “mbështesin drejtpërdrejt” programin e hapësirës ajrore të ushtrisë kineze, i cili përfshin anije ajrore dhe balona.

Kufizimet i ndalojnë këto kompani nga aksesi në teknologjinë amerikane, pretendon ai.

“Ne gjithmonë do të veprojmë për të mbrojtur interesat e popullit amerikan”, deklaroi presidenti amerikan.

Biden thotë se do të vazhdojë të flasë me presidentin kinez Xi Jinping, por ai nuk kërkon falje për rrëzimin e balonës së parë më 4 shkurt. /Telegrafi/

Exit mobile version