Site icon Telegrafi

Biden: Çdo amerikan do të vaksinohet deri në korrik

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se të gjithë amerikanët do të kenë qasje në vaksinat kundër coronavirusit deri në fund të korrikut.

Biden parashikoi më herët se vaksinat mund të jenë në dispozicion për të gjithë deri në pranverë, por Shtëpia e Bardhë e shtyu datën për shkak të vështirësive në disponueshmërinë e vaksinave dhe në mundësitë për t’i dhënë ato.

“Deri në fund të korrikut do të kemi 600 milionë doza, të mjaftueshme për të vaksinuar çdo amerikan”, tha Biden në takimin e parë me votues, prejse ka marrë detyrën në muajin janar.

Ai tha se do që shkollat të rihapen më shpejt dhe se mbështet vaksinimin e mësimdhënësve me prioritet.

Biden tha se SHBA-ja ka ende rrugë të gjatë përpara për të arritur imunitetin e tufës dhe për të lejuar rikthimin e jetës në normalitet.

Numri i rasteve të reja me coronavirus në SHBA është në rënie, por vazhdon të mbetet në dhjetëra mijëra në ditë.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i viktimave të martën ka qenë pak më pak se 1,000.

Coronavirusi ka vrarë mbi 487,000 njerëz në të gjithë SHBA-në. /rel/

Exit mobile version