Site icon Telegrafi

Biden i bën thirrje Kongresit të miratojë Pakon e dytë të Ndihmës për COVID-19

Joe Biden

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka thënë se raporti mbi papunësinë në Amerikë tregon se rimëkëmbja ekonomike është duke ngecur dhe i ka bërë thirrje Kongresit që të miratojë Projektligjin për Ndihmë pas krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Sipas Biden, duhet vepruar menjëherë.

“Nëse nuk veprojmë tash, e ardhmja do të jetë shumë e zymtë. Amerikanët kanë nevojë për ndihmë dhe ajo ndihmë iu duhet tani”, tha Biden.

Pasi qeveria raportoi më 4 dhjetor për shkallën e papunësisë në muajin nëntor, Biden u tha gazetarëve se ai mbështet një pako prej 908 miliardë dollarësh për COVID-19 që po shqyrtohet në Kongres.

Ai tha se sapo të marrë detyrën do të kërkojë nga Kongresi që të miratojë më shumë pako të ndihmës, duke shtuar se pakoja që po shqyrtohet tashmë është “vetëm fillimi”.

Biden dëshiron që demokratët dhe republikanët në Kongres të miratojnë pako më të mëdha të ndihmës sepse “ata do të përballen me një nevojë të paparë” për këtë gjë.

Momentumi po ndërtohet në Kongres lidhur me këtë projektligj, që mundëson ndihmë financiare për bizneset, të papunët, shkollat dhe për kujdesin shëndetësor.

Ky Projektligj është i dyti për ndihmë, pasi Pakoja e parë u miratua në muajin mars. /REL/

Exit mobile version