Presidenti amerikan, Joe Biden ka deklaruar se është e mundur të punohet drejt një armëpushimi në Liban – por paralajmëroi se do të jetë “më e vështirë në Gaza” pavarësisht vrasjes së liderit të Hamasit, Yahya Sinwar.
Gjatë një vizite në Berlin, Biden tha se ka një mundësi për t’u marrë me Izraelin dhe Iranin “në një mënyrë që t’i jap fund konfliktit për një kohë”.
“Ne mendojmë se ka një mundësi për të punuar drejt një armëpushimi në Liban. Por do të jetë më e vështirë në Gaza”, tha Biden, shkruan skynews.
Sa i përket vrasjes së Sinwar në Gaza, presidenti amerikan tha se “duhet të shfrytëzohet si mundësi për një rrugë drejt paqes dhe një të ardhme më të mirë në Gaza pa Hamasin”.
Ndërkohë, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se Sinwar ishte pengesa kryesore që parandalonte negociatat për një armëpushim në Gaza, por shtoi se ishte shumë herët për të thënë nëse vrasja e tij mund të ringjallë bisedimet.
Ndryshe, Irani, i cili është mbështetësi i Hamasit në Gaza dhe i Hezbollahut në Liban, lëshoi rreth 180 raketa në qytete izraelite më shumë se dy javë më parë dhe rajoni është përgatitur për përgjigjen e Izraelit. /Telegrafi/