Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në pesë shtete ku votat ende po numërohen dhe gara është shumë e barabartë për t’u shpallur fituesi.
Këtu është situata në secilën prej tyre shteteve:
Joe Biden aktualisht ka 248 vota elektorale, dhe Donald Trump 214, sipas AP. Duhen 270 për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë, transmeton Telegrafi.
Michigan
Shteti i jep 16 vota elektorale kolegjit zgjedhor.
Në atë shtet industrial në veri, ku Donald Trump mundi ngushtë demokraten Hillary Clinton në vitin 2016, u llogaritën 96 për qind e votave.
Joe Biden kishte një avantazh të lehtë ndaj Trump në vlerësimin e fundit atje (49.7 për qind kundrejt 48.8 për qind).
Mediat amerikane shkruajnë se votat që ende nuk janë numëruar, veçanërisht ato të dërguara me postë, mund të shkojnë në dorë të kandidatit demokrat.
Rezultati përfundimtar mund të dihet të mërkurën.
Nevada
Ka 6 vota elektorale.
Në atë shtet në perëndim, ku Hillary Clinton fitoi në vitin 2016, u numëruan 67 për qind e votave.
Deri më tani, Joe Biden kryeson atje (49.3 për qind), dhe Donald Trump merr 48.7 për qind.
Autoritetet lokale të zgjedhjeve njoftuan të mërkurën në mëngjes se numërimi ishte pezulluar dhe nuk do të vazhdonte deri të enjten.
Duke fituar zgjedhës në Michigan, Wisconsin dhe Nevada (16 + 10 + 6) Joe Biden do të merrte 32 vota elektorale, që është sa i duhet për të arritur “numrin magjik” të 270.
Georgia
Ka 16 vota elektorale.
Në atë shtet në juglindje, i cili tradicionalisht voton për kandidatin republikan, u numëruan 95 për qind e votave.
Donald Trump aktualisht ka një avantazh të vogël atje (50.3 për qind) ndaj Joe Biden (48.7 për qind), por ndryshimi mund të ngushtohet, parashikojnë mediat amerikane.
Rezultati përfundimtar pritet gjatë ditës.
Karolina e Veriut
Ka 15 vota elektorale.
Në atë shtet tjetër në juglindje që gjithashtu zgjedh tradicionalisht republikanët, 94 për qind e votave u numëruan.
Aktualisht drejtohet nga Donald Trump (50.1 për qind) përpara Joe Biden (48.7 për qind).
Pensilvania
Ka 20 vota elektorale.
Në atë shtet industrial, 64 për qind e votave u numëruan, ku të dy kandidatët zhvilluan një fushatë të ashpër.
Donald Trump aktualisht ka një avantazh të mirë atje (53.5 për qind kundrejt 45.4 për qind për Joe Biden), por mediat amerikane shkruajnë se një numër i madh i votave të korrespondencës do të jenë kryesisht për një kandidat demokrat të lindur në Pensilvani.
Autoritetet lokale njoftuan se rezultati përfundimtar do të dihet deri të premten. /Telegrafi/