Nicholas Dlamini është çiklisti nga Afrika e Jugut, që mbeti me dorë të thyer, shkaku i përdorimit të tepruar të dhunës së një polici.
Derisa 24-vjeçari po e ngiste pa leje biçikletën në një park nacional në Cape Town, u ndalua nga një patrullë policore, që të kontrollohej, transmeton Telegrafi.
Atë e mbështetën për pjesën anësore të veturës dhe duke dashur t’ia vënë prangat, një polic ia ktheu dorën dhunshëm, duke i shkaktuar thyerje.
Pamjet e shpërndara, tregojnë se si atë e fusin në pjesën e pasme të makinës dhe e dërgojnë në mbajtje, derisa një nga policët kërkon që të mos bëhen filmime rreth arrestimit të tij.
Zyrtarët e parkut nacional, kanë thënë se ai po ngiste pa leje dhe nuk e kishte paguar obligimin e duhur për qarkullim.
Megjithëse thuhet se ai i rezistoi arrestimit, dhuna e përdorur nga polici duket se është e tepërt.
Thyerja që pësoi, çiklistit që është një prej kandidatëve për Olimpiadë, pritet t’i shkaktoi probleme të konsiderueshme. /Telegrafi/