Site icon Telegrafi

Biblioteka Kombëtare në Shqipëri sot hap ekspozitë kushtuar Nënë Terezës

Biblioteka Kombëtare, në nderim të figurës së shquar të Nënë Terezës dhe shenjtërimit të saj, do të hapë në 3-10 shtator ekspozitën “homazh” kushtuar Nobelistes së paqes përmes titujve dhe veprave që kanë në fokus jetën frymëzuese dhe veprimtarinë e saj shembullore.

Në ekspozitë do të prezantohen lutjet dhe poezitë e shkruara prej vetë shenjtores, poezitë që ajo u frymëzoi poetëve shqiptarë, albumet mbresëlënëse të artistëve, monografitë studimore, intervistat, jetëshkrimet e deri dhe bibliografitë për Nënë Terezën.

Kjo ekspozitë sjell në trajtë simbolike marrëdhënien e privilegjuar që vetë Shqipëria dhe shqiptarët, për të cilët lutjet ajo nuk i rreshti kurrë, kanë ngjizur tashmë me Nënën e tyre të shenjtë, plot krenari e përkushtim.

Sipas njoftimit për shtyp të BKSH-së, përmes një bashkëpunimi përherë të suksesshëm me Muzeun Historik Kombëtar dhe Ministrinë e Kulturës, në këtë ekspozitë do të ekspozohen edhe disa nga objektet personale të Nënë Terezës, si kryqi, rruzarja dhe peshqiri i saj, sot pronë e MHK.

Exit mobile version