Site icon Telegrafi

Biber: Dialogu Beograd-Prishtinë ka dalë nga binarët

Eksperti për Evropën Lindore, Florian Biber në një intervistë për Deutche Wellen ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi ka dalë nga binarët dhe zgjidhja duket më larg se një vit më parë.

Biber ka thënë se ajo çfarë po shohin tani është një proces që ka dalë nga binarët.

“Negociatat mes dy vendeve janë vështirësuar përgjatë viteve të fundit dhe sivjet kemi përjetuar krizën më të madhe. Nga njëra anë flitet për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja palët. Dhe nga ana tjetër sinjalet shkojnë në drejtim të kundërt. E para që mund të thuhet është, se po përjetojmë më shumë tensione. Mendoj se disa nga këto tensione janë të prodhuara më shumë nga vet palët për interesat e tyre. Nga arrestimi i Marko Gjuriqit deri tek fushata serbe për tërheqjen e njohjeve të Kosovës për të vazhduar me konfliktin e tarifave doganore. Të gjitha këto po krijojnë tensione që nxisin një atmosferë krejt të ndryshme nga ajo që do të lejonte arritjen e një marrëveshjeje.  Secila palë po luan me kartën e vet të konfrontimit. Unë gjithashtu mendoj se bisedimet rreth ndryshimit të kufijve e kanë dëmtuar mundësinë e gjetjes së zgjidhjes. Ky diskutim ka dhënë shenja, se procesi i mëparshëm, i cili e përjashtonte ndryshimin e kufijve, ka dalë nga binarët, dhe se të dy presidentët i kanë tejkaluar vijat e kuqe të dialogut”, tha ai.

Sipas tij, të gjitha këto i kanë nxjerrë negociatat nga binarët duke sjellë më shumë të panjohura.

“Sipas mendimit tim, diskutimi i ndryshimit të kufijve nuk do të sjellë ndryshim të kufijve, por çon në ‘mos zgjidhje’. Është e qartë se një gjë e tillë nuk do ta ketë përkrahjen e shumicës në Kosovë. Për Serbinë do të jetë shumë vështirë që tani të gjejë një zgjidhje pa përfshirë ndryshim kufijsh. Tani në Serbi mbizotëron një ndjenjë, se ndryshimi i kufijve është i arritshëm. Kështu do të mund ta përshkruaja përmbledhtas situatën: procesi aktualisht është më keq se sa një vit më parë”, tha ai.

Biber ka folur edhe për taksën e vendosur nga Kosova për produktet serbe.

“Shumë veprime të bëra nga Haradinaj dhe Thaçi, për mua nuk reflektojnë se në proces ka pasur qasje strategjike. Pajtimi i Thaçit që të diskutojë ndryshimin e kufijve është diçka që më është dukur si një gjë e papërgatitur dhe jo e menduar mirë, sepse kjo i hap shumë telashe Kosovës. Ka pasur edhe mungesë të përkrahjes së gjerë në Kosovë. Nga kjo pikëpamje duket, se edhe kryetari i shtetit edhe kryeministri e kanë vënë më shumë theksin në konfliktin me njëri-tjetrin dhe në përpjekjet për të avancuar agjendat e veta, se sa kanë menduar për një qasje strategjike. Qasje strategjike do të ishte nëse Kosova në tërësi ka një pozicion të unifikuar. Perceptimi im është që nga perspektiva serbe një situatë pa marrëveshje është rezultati më i mirë, sidomos kur për mungesë të rezultatit mund të fajësohet Kosova. Kështu Serbia mund të argumentojë, se Kosova nuk është koherente dhe nuk ka pozicion të qartë. Mendoj se një gjë e tillë i shkon për shtat Serbisë. Serbia mund të kërkojë që ta shkëpusë procesin e integrimeve evropiane nga një marrëveshje me Kosovën, që do të ishte një skenar ideal për ta. Mirëpo kjo do ta vendoste Kosovën në një pozitë edhe më të dobët, gjë të cilën edhe presidenti edhe kryeministri i Kosovës janë duke e nxitur. Ndonjëherë duket se ata po luajnë lojën e presidentit të Serbisë, e nuk kanë një qasje strategjike për Kosovën”, tha ai.

Biber ka folur edhe për atë që në Kosovë shumë ankohen, se po trajtohen jo si të barabartë, se BE-ja reagon për secilën çështje kur është fjala për të mbrojtur Serbinë, por nuk bën asgjë për Kosovën.

“Problemi është se Kosova është në një pozitë më të dobët se Serbia. Kjo është e vërtetë, pasi Serbia ka avancuar më shumë në integrimet evropiane dhe Serbia mund të jetojë më lehtë me këtë status quo se sa Kosova. Mendoj se përshtypja është që ka pabarazi. Kjo bazohet edhe në faktin se Serbia ka fuqi negociuese me BE-në dhe mund të kërkojë më shumë prej saj. Kjo është situata e pabarabartë që u krijon këtë përshtypje kosovarëve”, theksoi Biber.

Sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri, Biber theksoi se “..Sa i përket aleancës qëndrimi nuk është i ndryshëm dhe nuk ka ndonjë mospërputhje thelbësore që Kosova të ketë një forcë sigurie. Çështja ka të bëjë vetëm me kohën e papërshtatshme lidhur me negociatat, dhe SHBA-ja është më pak e përfshirë në to. Mendoj se për këtë arsye ka pak dallim në deklarime”. /Telegrafi/

Exit mobile version