Në lagjen Gazi Babë të Komunës së Çairit në Shkup funksionon një kopsht për fëmijë i quajtur “Bleta” i cili u mëson të vegjëlve edhe rituale fetare. Denoncimi i një mësimi të tillë u bë fillimisht në rrjetet sociale. Alsat M inspektoi objektin ku ndodhet ky kopsht.
Sipas informacioneve të siguruara në rrethana anonimati, mësuam se bëhet fjalë për një kopsht i cili funksionon të paktën që nga viti 2014. Burimet shtojnë se edukimi në kopsht nuk është i orientuar vetëm nga modeli fetar, por mësohen gjuhë të huaja, aktivitete fizike dhe zbavitëse.
Megjithatë, një kopsht për fëmijë i quajtur “Bleta” me adresë në Shkup nuk figuron as në listën e kopshteve publike dhe as të atyre private. Ministria për Punë dhe Politikë Sociale ka ndërmarrë inspektime për të verifikuar nëse kopshti është i regjistruar, kush qëndron pas tij, cili është aktiviteti zyrtar dhe mbi çfarë baza shkel mbi dispozitat Kushtetuese të shtetit laik. Deri më tani nga dikasteri i Punës dhe Politikës Sociale nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare si përfundim nga inspektimet në terren. Nga Komuna e Çairit, aty ku edhe graviton kopshti thonë se për një institucion të tillë edukativ nuk janë në njohuri.
”Vlerësoj se nuk duhet të shpejtohet në këtë rast dhe të flitet për situata hipotetike, por çështja duhet të verifikohet dhe t’i kalohet ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale e cila ka kompetencën e plotë”, deklaroi Kushtrim Alla, Zëdhënës i Komunës së Çairit.
Bashkësia Fetare Islame nga ana tjetër dënon veprimet e tilla. I pari i BFI-së Sulejman Rexhepi thekson se kopshtet fetare në Maqedoni nuk janë të lejuara dhe se një veprim të tillë do ta luftojë në mënyrë institucionale.
”Pa pëlqimin tonë atë veprim nuk mundet ta bëj askush dhe as të mos i ik mendja për diçka të tillë. Neve nuk lejojmë që fëmijët tanë të pavetëdijshëm të na infektojë ndokush. Sa është informim dhe edukim aq mund të jetë edhe helmim. Unë ju garantojë dhe i them atyre që me të gjitha organet e mija i kundërvihemi njëzëri”, tha Sulejman Rexhepi, Kryetar i BFI-së.
Video materialet dhe fotografitë e publikuara ditë më parë në rrjete sociale përshkruajnë aktivitete e të vegjëlve në kopsht. Mes mësimit dhe aktiviteteve fëmijët mësojnë edhe ritualet fetare islame, si lutjet, faljen, ritualet e haxhxhit dhe këndimin e sureve nga libri i shenjt Kurani. Referuar Kushtetutës së vendit, Maqedonia është shtet laik ndërsa mësim-besimi fetar nuk është i lejuar në paralelet parashkollore dhe shkollat fillore./Alsat-M/