Themeluesi i Amazon, dhe shefi ekzekutiv i Blue Origin, Jeff Bezos, iu është përgjigjur kritikëve të cilët thonë se miliarderët shpenzojnë më shumë para për udhëtimet në hapësirë dhe jo mjaftueshëm për të adresuar problemet në Tokë.
Megjithatë Bezos ka deklaruar ditë më parë gjatë një eventi se “këta kritikë e harrojnë faktin se ne duhet të punojmë në të dyja aspektet, dhe se këto dyja janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën”.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, miliarderi thotë se ai po shpenzonte më shumë para në Fondin Bezos Earth, një sipërmarrje filantropike e shpallur në shkurt të vitit 2020, se sa po shpenzonte për udhëtimet në hapësirë. Qëllimi i saj është të shpenzojë 10 miliardë dollarë për të luftuar ndryshimet klimatike deri në vitin 2030.
As Bezos dhe as intervistuesi i tij në këtë event nuk përmendën ndonjë kritik në veçanti, por pasi Bezos fluturoi në hapësirë në korrik, ai tërhoqi kritika nga figura publike, duke përfshirë nga Alexandria Ocasio-Cortez, nga miliarderi Bill Gates dhe nga Princi William. /Telegrafi/