Zgjedhjet e parakohshme, nuk do të sjellin koalicione të mëdha parazgjedhore. Kështu mendon historiani dhe njohësi i rrethanave politike, Nuri Bexheti.
Ai thotë se nuk do të ketë koalicione të tipit LDK-VV, apo AAK-PDK, pasi sipas tij, këto parti kanë përdor diskurs të ashpër, dhe për këtë nuk do të mund të arrijnë ndonjë konsensus.
Bexheti ka shtuar se partitë e vogla do t’u afrohen partive të mëdha.
“S’ka koalicione të mëdha parazgjedhore. Partitë e vogla pritet të grupohen rreth partive të mëdha dhe janë jashtë skenarëvee koalicione të mëdha të tipit ‘LDK-VV’ ose ‘AAK-PDK apo VV e tjerë. Arsye është se këto parti e kanë të vështirë të arrijnë konsensus për shkak të diskursit të tyre politik, që i ka përcjell me vrazhdësi dhe inatllëk tipik ballkanik për një kohë të gjatë në skenën politike’, ka thënë Bexheti për Gazeta Metro.
Më tej ai ka shtuar se çdo qeveri që del nga zgjedhjet e 11 qershorit, në tremujorshin e parë duhet të merret me tema të mëdha si demarkacioni, asociacioni dhe ushtria.
‘Cilado qeveri që del nga zgjedhjet e 11 qershorit, në tremujorshin e parë, duhet të kalojë në Kuvend, top-temat nacionale, si demarkacioni, asociacioni dhe ushtria’, ka thën ai.
Ndryshe, me afrimin e zgjedhjeve, edhe zërat për koalicione të mundshme parazgjedhore u shtuan, por që deri tani asnjë nuk është i zyrtarizuar, përveç një afrimi të AAK-së dhe Nisma-s, por që daton që më herët.