Telegrafi

Bexheti: Nuk ka nevojë që Aleanca për Shqiptarët të bëhet pjesë e Qeverisë

Nuk ka nevojë që Aleanca për Shqiptarët të jetë pjesë e Qeverisë, thotë Blerim Bexheti, kryetari aktual i Komunës së Sarajit dhe deputet i BDI-së, i cili ishte një nga nënshkruesit e letrës së të ashtuquajturit “grupi i zjarri”.

Në lidhje me njoftimet gjithnjë e më të shpeshta për hyrjen e mundshme të Aleancës për Shqiptarët në pushtet, Bexheti në intervistë për “Makfax” theksoi se as BDI-ja e as LSDM-ja dhe as e gjithë shumica qeverisëse nuk kanë nevojë për një partner shtesë, konkretisht Aleanca për Shqiptarët.

“Në mandatin e kaluar kanë qenë me BDI-në dhe LSDM-në, pastaj kanë dalë nga Qeveria, e tani duan të kthehen. Nuk është se ne bëjmë turizëm”, tha Bexheti.

Ai beson se partia e Taravarit duhet të marrë përgjegjësinë e opozitës.

“Duhet të ketë një qëllim politik. Një tjetër ishte momenti kur Alternativa iu bashkua mazhorancës qeverisëse. Nuk e shoh atë moment politik tani. Nuk e shoh qëllimin politik, pse Aleanca për Shqiptarët do të ishte pjesë e qeverisë dhe kjo nuk është mirë as për ta, as për mazhorancën qeverisëse”, theksoi ai.