Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur takimin e 192-të me radhë.
“Ky takim, në bazë të Rregullores për zgjedhjen e Kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të KPK-së, është udhëhequr nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili njëkohësisht është anëtar i Këshillit Prokurorial sipas detyrës zyrtare.
Në fillim të këtij takimi, gjashtë anëtarë të rinj të KPK-së, të cilët vijnë nga radhët e prokurorive themelore dhanë betimin, kurse takimi ka vazhduar me pikat e radhës, me ç’rast është hapur thirrja për nominime për Kryesues dhe zëvendëskryesues të ri të KPK-së”, thuhet në njoftimin për media.
Lidhur me procedurat për nominim në pozitat e lartcekura, të gjithë anëtarët u njoftuan nga Kryeprokurori i Shtetit, Lumezi. Kryesuesi dhe Zëvendëskryesuesi i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës do të zgjidhen brenda afatit të caktuar me aktet ligjore. /Telegrafi/