Site icon Telegrafi

Beteja për Mosulin, ISIS bën rezistencë të fortë

Koalicioni ushtarak që po përpiqet të çlirojë Mosulin, qytetin e dytë më të madh në Irak, nga Shteti Islamik vazhdon që të shënojë progres të konsiderushëm në fushën e betejës.

Por pavarësisht këtij suksesi, që përfshin 78 fshatra të çliruar dhe më shumë se 800 luftëtarë të vrarë në javën e parë të betejës, koalicioni po përballet me një rezistencë shumë të fortë, rezistencë që konsiderohet si e fundit e këtij grupi terrorist në Irak.

Forcat e Shtetit Islamik janë në numër shumë më të pakta se rreth 100 000 ushtarët e koalicionit, arsye për të cilën përdorin taktika të çrregullta luftarake për të shkaktuar sa më shumë dëm tek armiku dhe për të terrorizuar civilët lokalë që vuajnë prej vitesh.

ISIS e dinte që do të vinte dita e ofensivës për Mosulin dhe kishte mjaft kohë të përgatiste mbrojtjen e qytetit nga i cili nuk dëshiron të tërhiqet. Forcat e koalicionit që i afrohen qytetit duhet të kalojnë në rrugë të minuara dhe të hyjnë në fshatra e qyteza të mbushura me bomba të improvizuara dhe të fshehura mjeshtërisht nga militantët e Shtetit Islamik.

Zyrtarë të koalicionit thanë se në javën e parë të ofensivës zbuluan dy fabrika të ISIS që prodhonin bomba dhe shpërthyen në distancë më shumë se 400 mjete eksplozive të improvizuara. Një prej komandantëve kurdë brigadier gjeneral Mzuri tha se kishte humbur më shumë trupa nga këto pajisje shpërthyese se sa në fushën e betejës.

Për të ilustruar situatën, ai tha se në qytezat e çliruara, njerëzit që kthehen apo ushtarët kanë frikë të hapin qoftë edhe një frigorifer, pasi brenda mund të gjendet një bombë. Veç taktikës së mirënjohur të djegies së puseve të naftës për të penguar operacionet ajrore të koalicionit përmes tymit të dendur, IS ka sjellë një risi në këtë betejë. Ndërsa tërhiqej nga zona e Qarajës, militantët islamikë hodhën në erë depozitat e sulfurit dhe impiantet e përpunimit të këtij kimikati në zonë, transmeton tch.

Zjarret që digjen prej ditësh kanë krijuar sasi kolosale tymi toksik dhe qindra njerëz kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë. Operacionet ushtarake në zonë janë ndërlikuar ndjeshëm si pasojë e këtij zhvillimi, por dihej që beteja kundër IS nuk do të ishte aspak e lehtë.

Exit mobile version