Site icon Telegrafi

Beteja e një njeriu për të sjellë nazistët para drejtësisë

Prokurori Fritz Bauer (djathtas), në shkurt të vitit 1964, në kohën kur psikiatri nazist Werner Heyde vrau veten, disa ditë para se të fillonte gjyqi kundër tij.

Në librin Prokurori: Beteja e një njeriu për të sjellë nazistët para drejtësisë [The Prosecutor: One Man’s Battle to Bring the Nazis to Justice], Jack Fairweather tregon historinë e Fritz Bauerit për të gjykuar kriminelët e luftës – shpesh i vetëm përballë opozitës publike dhe politike.

Nga: Rebecca Abrams / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjermania naziste mund të jetë mposhtur plotësisht, në maj të vitit 1945, por mbështetja për të djathtën ekstreme vazhdoi të ekzistonte. Siç thekson Jack Fairweather, në biografinë e tij për juristin gjermano-hebre Fritz Bauer – edhe në vitet ‘50 të shekullit XX, “pothuajse gjysma e popullsisë mendonte se gjërat kishin qenë më mirë nën Hitlerin”. Antisemitizmi, gjithashtu, mbeti i përhapur: një sondazh i vitit 1956 në Gjermaninë Perëndimore, zbuloi se një e katërta e të anketuarve besonin se vendi do të ishte më mirë pa hebrenjtë.

Për Bauerin, këto dy fenomene ishin të lidhura ngushtë: pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit kolektiv të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, për të pranuar natyrën dhe përmasat e bashkëfajësisë së saj në mizoritë naziste. Baueri ishte pjesë e një pakice shumë të vogël, por të zëshme intelektualësh, artistësh dhe juristësh të përcaktuar për të çarë rezistencën e përgjithshme ndaj një përballimi të ndershëm me të kaluarën në Gjermaninë Perëndimore (situata në Lindjen komuniste ishte ndryshe). Kjo filloi të merrte hov vetëm në vitet ’60 të shekullit XX, me mbështetjen e një brezi më të ri në të majtën radikale.

Fairweather argumenton bindshëm se vendosmëria e Bauerit për të sjellë kriminelët e luftës përpara drejtësisë, luajti një rol udhëheqës në këtë përballje të vonuar me të kaluarën. Ai vetë ishte arrestuar dhe torturuar nga Gestapoja në vitin 1933 dhe kishte humbur anëtarë të afërt të familjes gjatë Holokaustit. Arriti të shpëtonte vetëm duke ikur në Danimarkë në vitin 1936 dhe – kur edhe Danimarka u bë një kurth vdekjeje – në Suedi.

Pas kthimit në Gjermani, pas luftës, Baueri rindërtoi karrierën e tij juridike – por, mbeti i tmerruar nga indiferenca, vetëkënaqësia dhe maskimet masive që haste. Nga ajo kohë ee deri në vdekjen e tij në vitin 1968, ai punoi pa u lodhur për të përdorur ligjin si mjet për të zbuluar dhe ndëshkuar tmerrin e plotë të gjenocidit nazist. “Asnjë krim i kryer gjatë luftës nuk duhet të jetë më i rëndë se kjo shfarosje masive”, ka shkruar ai që në vitin 1944, “sepse është dëshmi e përçmimit më cinik ndaj jetës”.

I emëruar prokuror i përgjithshëm i Braunshvajgut në vitin 1950 dhe më pas i landit Hesen në vitin 1956, Baueri filloi me vendosmëri hetimet e tij ndaj ish-kriminelëve të luftës. Ai hasi menjëherë në rezistencë të fortë, përfshirë kancelarin e Gjermanisë Perëndimore, Konrad Adenauer. Edhe pse kishte vuajtur vetë nën regjimin nazist, Adenaueri ishte një i krishterë i devotshëm që besonte në falje dhe mbështeste thirrjet për një amnisti të përgjithshme për krimet e luftës.

Vendimi i tij mirëdashës, por katastrofik në vitin 1949, për të “lënë të shkuarën pas”, siç thuhet në shprehjen e tij tashmë famëkeqe, ndihmoi bashkëpunimin evropian dhe rindërtimin e Gjermanisë Perëndimore, por njëkohësisht i dha fund programit jetëshkurtër të denazifikimit dhe u mundësoi qindra gjyqtarëve, juristëve, politikanëve dhe nëpunësve civilë të fshihnin pjesëmarrjen e tyre aktive në mizoritë e epokës naziste. Ndërkohë, CIA po punësonte ish-oficerë të SS-it dhe të tjerë për të përpunuar informacionet në fushatën e saj të spiunazhit kundër Bashkimit Sovjetik.

Fairweather e rrëfen këtë histori me qartësi dhe ritëm mbresëlënës, duke u mbështetur në dokumente familjare të papublikuara dhe në arkivat deklasifikuara së fundmi në Gjermani, për të ndërtuar një portret të ndjeshëm të një individi jashtëzakonisht të guximshëm dhe një rrëfim tepër tërheqës për kontekstin e tensionuar të Luftës së Ftohtë, ku interesat gjermane, amerikane dhe sovjetike ishin ndërlidhur në mënyrë të errët.

Përpjekjet e palodhshme të Bauerit dhe hetimet e tij këmbëngulëse, për vite me radhë çuan në arrestimin e shumë kriminelëve famëkeq, si Richard Baer, komandanti i fundit i Aushvicit, dhe Adolf Eichmann. Në fakt, ishte Baueri, jo Simon Wiesenthali, ai që kishte meritën kryesore për gjurmimin e Eichmannit në Argjentinë dhe sigurimin e rrëmbimit dhe gjykimit të tij në Izrael në vitin 1961.

Ai pati më pak sukses me Hans Globken, nëpunësin më të lartë civil dhe njeriun më të besuar të Adenauerit. Një zyrtar i lartë edhe gjatë regjimit të Hitlerit, Globke kishte hartuar arsyetimin ligjor dhe udhëzimet për zbatimin e ligjeve raciste antisemite, përfshirë futjen e shenjës “J” në pasaportat hebraike, ndërsa ishte drejtpërdrejt i implikuar në vrasjen e 20 mijë hebrenjve të Greqisë. Në vitin 1961, një agjent i Adenauerit u takua personalisht me kryeministrin izraelit Ben-Gurion, për t’i ofruar një shpërblim financiar me qëllim që emri i Globkes të mos përmendej në gjyqin e Eichmannit.

Misioni i Bauerit, megjithatë, shkonte përtej ndjekjes penale të njerëzve në krye të sistemit. Qëllimi i tij ishte të nxirrte vetë Aushvicin në gjyq, në mënyrë që të ndryshonte përkufizimin ligjor të vrasjes, i cili sipas kodit penal gjerman nënkuptonte se autorët mund të dënoheshin vetëm për vrasje individuale dhe vetëm nëse provohej qëllimi për të vrarë. Bauer, përkundrazi, dëshironte të provonte – siç shprehej vetë – se “kushdo që punoi brenda kësaj makinerie vrastare, pavarësisht se çfarë bënte, ishte fajtor për bashkëpjesëmarrje në vrasje … që nga rojet e deri në nivelet më të larta”.

Me kosto të madhe personale dhe përballë kërcënimeve të vazhdueshme për jetë, përgjimeve telefonike dhe fushatave të shpifjeve publike, ai këmbënguli në këtë mision përmes viteve të tëra hetimesh të lodhshme dhe këmbëngulëse. Gjyqi i Aushvicit, i cili u hap në dhjetor të vitit 1963 dhe zgjati 16 muaj, ishte ai që më në fund e theu heshtjen. Gjyqi më i madh në historinë moderne gjermane u mbulua nga mediat botërore. Fuqia e 360 dëshmive e ndryshoi përgjithmonë jo vetëm perceptimin e botës për tmerret e regjimit nazist, por edhe kuptimin se këto tmerre ishin një “përpjekje kolektive”, duke ngritur pyetje të thella morale. Në një kohë kur demokracitë liberale janë sërish në rrezik dhe moskokëçarja ndaj Holokaustit është alarmuese, libri Prokurori është më aktual se kurrë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version