Site icon Telegrafi

Besueshmëria ndaj policisë, si ajo ndaj qeverisë

Në sondazhet që bëheshin kohë më parë për besueshmërinë ndaj institucioneve, Policia e Kosovës përkundër institucioneve tjera si partive politike po ashtu edhe qeverisë, gjithmonë dilte si institucioni më i besueshëm nga ana e popullit. Por, po të bëhet sot një sondazh, jam i bindur që rezultatet do të ishin krejtësisht ndryshe. Këtë e them nga bisedat që kam pasur me shumë miq e shokë. Sot besueshmëria e popullit ndaj Policisë së Kosovës mendoj se është e njëjtë me të atyre që më parë ishte pakrahasueshëm më e madhe. E tërë kjo ka ardhur vetëm për një arsye: sepse policia po i zbaton urdhrat e atyre që sondazhet tregonin se nuk e kanë besimin e popullit – qeverisë.

Pas ndërhyrjes së dhunshme të policisë për ta arrestuar Albin Kurtin në varrimin e veprimtarit Ali Aliu, ku edhe dështuan për shkak se një gjë të tillë nuk e lejuan qytetarët dhe aktivistët pjesëmarrës në varrim, ata nuk hezituan që edhe një herë të ndërhynin, madje tani edhe më dhunshëm për ta arrestuar Albinin. Por, jo në rrugë apo në banesën e tij por pikërisht në festën që ishte organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! me rastin e 5 vjetorit të themelimit të saj. Pas përdorimit të një dhune të madhe ata ia arritën qëllimit të tyre, e arrestuan Albinin edhe përkundër faktit që mbi 175 mijë qytetarë nënshkruan peticionin kundër këtij gjykimi.

Atë ditë shihej qartë që policia speciale nuk kishte ardhur vetëm që ta arrestonte Albinin. Dhuna që ata ushtruan ndaj aktivistëve e qytetarëve që po festonin tregonte qartë që policia mundohej të mbillte frikë tek aktivistët në mënyrë që këta të fundit të mos reagonin më ndaj padrejtësive të ndryshme. Këtë e vërteton edhe fakti që edhe pas arrestimit, në stacionin policor ndaj meje dhe aktivistëve tjerë të arrestuar u ushtrua dhunë e madhe.

Prej aktivistëve të arrestuar, i fundit që hyra në stacionin policor isha unë, sepse të tjerët i kishin futur më herët. Në korridor ishin mbledhur policët që kishin intervenuar tek zyra jonë. Posa më futën në korridor, një prej policëve filloi të më shajë dhe të më godas me arsyetimin që po e shikoja. Policët tjerë që ishin aty nuk e kapën atë që ta largonin nga unë (sepse ashtu duhej vepruar) por edhe ata filluan të më godasin. Përveç që ata tentuan të na e ndalojnë lirinë e shprehjes, ata u munduan të na e ndalojnë edhe shikimin. Një gjë të tillë ata nuk do ta realizojnë kurrë. Ata harruan që këtë nuk e ka arritur kurrë as policia serbe.

Nga aty më dërguan në një sallë ku ndodheshin edhe aktivistët tjerë të arrestuar. Aty pash aktivistin Salih Zyba, ish luftëtarë i tri luftërave të fundit çlirimtare në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni. Koka e tij rridhte gjak nga të gjitha anët, por policët nuk ishin ende të kënaqur me dhunën e ushtruar mbi të dhe filluan prapë ta fyejnë dhe ta godasin sikurse edhe aktivistin tjetër Frashër Krasniqi i cili mezi merrte frymë sepse mushkëritë e tij ishin të mbushura përplot sprej e gaz lotsjellës. Pra, në vend që aktivistëve t’iu ofrohej ndihmë mjekësore, atyre iu ofrohej dhunë nga ana e policisë speciale. Këto sjellje të policisë speciale ndaj neve, mi përkujtojnë tregimet e më të moshuarve që i kisha dëgjuar nëpër oda. Ata tregonin për dhunën që kishin përdorur policët serb ndaj shqiptarëve nëpër stacionet policore.

Përgjatë kohës sa isha në qeli, dritaret e vogla të së cilës ishin nga oborri i stacionit policor, dëgjoja biseda të ndryshme të policëve. Secili prej tyre mezi priste që të fliste për punën e tij të “shkëlqyeshme” se si i kishte rrahur aktivistët, se sa preciz kishte qenë në hedhjen me sprej në sy etj. Pra, për policët këto veprime ishin suksesi i tyre. Përgjatë bisedës së tyre ajo çka vërejta ishte që secili prej tyre ndihej shumë i fuqishëm pas intervenimit të tyre. Gjë tjetër që vërejta gjatë bisedës së tyre ishte niveli i ulët kulturor e arsimor sepse gjatë tërë kohës ata e fyenin njëri tjetrin në mënyrën më të keqe të mundshme. Biseda të tilla nuk do të doja të dëgjoja, por kjo më imponohej sepse ata ishin afër dritares së qelisë ku gjendesha unë. Ende pa u shpërndarë policët, njërit prej tyre i cingëroi telefoni. Muzika që atij i cingëroi ishte një muzikë e një filmi ëestern. Jo rastësisht ai e kishte zgjedhur këtë muzikë, sepse e ndiente veten kauboj dhe sjelljet që ai dhe shokët e tij bënin e tregonin karakterin e tyre i cili i ngjante shumë karakterit të kaubojve.

Vet fakti që pushteti dha këtë urdhër për këtë intervenim të dhunshëm është fitore e jona sepse e kemi detyruar ta tregoj fytyrën e tij të vërtetë. Populli pret nga kjo polici që ti arrestoj kriminelët, politikanët e korruptuar, strukturat paralele serbe etj. e jo të arrestoj e të rrahë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të cilët kërkojnë të drejtën themelore për vetëvendosje, e drejtë kjo që i takon çdo populli.

Një gjë e kam të paqartë! Pse policia nuk tentoi ta arrestonte Albinin përderisa zhvillonte aktivitetet e tij të përditshme por këtë gjë e bëri pikërisht në ditët kur kishte njerëz të tubuar (herën e parë në ceremoni të varrimit të veprimtarit Ali Aliu e herën e dytë në festën e 5 vjetorit të themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!)? Ndoshta qëllimi i tyre ka qenë që ta paraqesin Lëvizjen tonë në media si të dhunshme por, krejt ajo çka ata arritën të paraqesin në media ishte dhuna e tyre sepse ata shkaktuan dhunë e jo ne, madje me këtë akt ata na e ngritën edhe më shumë besimin dhe autoritetin tonë në popull.

Tashmë popullit nuk kemi nevojë fare t’i flasim se kush e shkaktoi dhunën sepse këtë gjë e ka shumë të qartë secili qytetarë. Vet fakti që kanë ndërhyrë në manifestime i ka fyer të gjithë qytetarët, madje unë vet kam dëgjuar shumë qytetarë duke thënë që një gjë të tillë nuk e ka bërë as policia serbe.

(Autori është aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!)

Exit mobile version