Disa nga banorët e Vushtrrisë kanë besuar se uji i burimeve që ndodhen në këtë qytet është i shërueshëm. Por, pas analizave kimike të bëra, është konstatuar që uji nuk mund të përdoret për pije.
Miti se uji i burimeve të Vushtrrisë është i shërueshëm doli të jetë i pavërtetë.
Madje, ai është helmues por që ende vazhdon të përdoret për pije, tregon Ruzhdi Maloku.
“Ujin më shumë e përdorin fëmijët, dhe nuk e dinë rëndësinë e tij. Edhe kalimtarët e rastit e përdorin në raste të rralla”, shprehet për RTV Dukagjinin qytetari Ruzhdi Maloku.
Kryetari i Komunës së Vushtrisë, Xhafer Tahiri besimin që kanë disa nga banoret për shërim nga burimi thotë se nuk qëndron, duke treguar se nga analizat e bëra ai ujë nuk duhet konsumuar.
“Analizat e bëra nga Instituti i Shëndetit Publik rezultojnë se ai ujë nuk është i pijshëm sepse përmban elemente që e bëjnë atë ujë të papijshëm. Uji mund të përdoret për çështje të tjera siç është marrja e abdestit, por për pije uji nuk bën të përdoret”, tha Tahiri.
Madje Tahiri thotë se në asnjë burim të qyteteve të Kosovës uji i tillë nuk është për pije.
“Uji nga puset në asnjë qytet në Kosovë nuk bën të pihet, e as në Vushtrri uji nga puset nuk pihet, këtë e dinë shumica e qytetarëve. Ujin e puseve nuk e përdorin as bizneset për pije apo ushqim”, shprehet më tej Xhafer Tahiri.
E për të parandaluar konsumimin nga këto burime, Tahiri bëri të ditur se ekziston mundësia e vendosjes së një shenje adekuate pranë tyre. /Telegrafi/