Site icon Telegrafi

BESNIKËRIA

Ilustrim

Rrëfenjë arabe
Përktheu: Bajram Karabolli

Një kryengritës ishte dënuar me vdekje, me varje në litar. Para se ta varnin, i dënuari iu lut mbretit t’i jepte leje që të shkonte dhe të takonte nënën, e të cila jetonte në një fshat të largët. Monarku pranoi me një kusht: i dënuari të linte një peng, ndonjë mik a shok të ngushtë të tij, i cili do të ekzekutohej në vend të tij, nëse ky nuk do të kthehej. Kryengritësi gjeti një mik, i cili pranoi që të zinte vendin e tij. Kësisoj, mbreti i dha të dënuarit një afat prej shtatë ditësh.

Ditët kalonin dhe ditën e gjashtë, pengu u njoftua se të nesërmen në mëngjes do të ekzekutohej. Ndërkohë, mbreti i pyeti rojet e burgut për gjendjen e tij shpirtërore. Ata u përgjigjën e i thanë se ishte shumë e qetë, sepse, siç dukej, asnjë çast nuk kishte dyshuar se shoku i tij mund të mos kthehej. Monarku qeshi me shpresën e tij të kotë.

Erdhi koha e ekzekutimit dhe pengu, përsëri, ishte i qetë, madje buzëqeshte, edhe kur xhelati po i lidhte litarin në qafë. Pikërisht kur mbreti do të jepte urdhrin për ekzekutim, u shfaq kryengritësi duke ngarë kalin, me të katra. Mbreti, i mahnitur dhe i mrekulluar nga kjo ngjarje, nxori si mësim se, kur ka besnikëri të vërtetë, njeriu nuk ka pse të frikësohet. Dhe, si shpërblim, u dha lirinë të dyve.

Nëse, midis dy miqve, nuk mbahet premtimi apo fjala e dhënë, ata nga miq kthehen në armiq të egër, për njëri-tjetrin.

Exit mobile version