Site icon Telegrafi

Besnik Tahiri: Qeveria mos të lejojë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive

Drejtori i Institutit për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka thënë se kërkesa e Beogradit që Asociacioni i Komunave të ketë përgjegjësi mbi arsimin e lartë, është një lojë që për qëllim ka më shumë shtyrjen se sa themelimin e këtij Asociacioni.

“Qeveria duhet të jetë e qartë duke mos lejuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe në të njëjtën kohë të mos jetë nivel i dytë rajonal i qeverisjes”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Postimi i plotë i tij:

Edhe disa fjalë rreth themelimit të Asociacionit!

E para, askund në botë nuk ka një praktikë që Asociacioni i Komunave të ketë përgjegjësi mbi arsimin e lartë. Kjo do të thotë se një kërkesë e tillë nga Beogradi është një lojë që për qëllim ka më shumë shtyrjen se sa themelimin e këtij Asociacioni.

E dyta, në Kosovë, institucionet e shtetit e kanë për obligim të marrin për bazë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Si rrjedhojë, Statuti duhet të reflektojë rekomandimet dhe të marrë për bazë udhëzimet e Kushtetueses. Ndërsa, në të njëjtën kohë, Qeveria duhet të jetë e qartë duke mos lejuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe në të njëjtën kohë të mos jetë nivel i dytë rajonal i qeverisjes.

E treta, sa i përket funksionimit dhe organizimit të qeverisjes lokale në përgjithësi, e me theks tek asociacionet, definitivisht Serbia nuk ka shembuj e as praktika të mira në këtë fushë. Atje edhe më tutje komunat nuk kanë ndonjë rol në fuqizimin e demokracisë së drejtpërdrejt, autonomisë fiskale e as në aspektet e shërbimeve dhe atyre zhvillimore lokale.

Krejt në fund, logjika e Asociacionit nuk është strehë nacionalizmi, por instrument për demokratizim dhe integrim.(sic.) /Telegrafi/

Exit mobile version