Diplomati Besnik Mustafaj deklaroi sot se opozita është shumë optimiste për rezultatin nëse futet në zgjedhjet parlamentare.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Mustafaj tha se Basha shprehet shumë optimist, ndërsa Rama euforik dhe LSI ka shpallur si objektiv të jetë forcë e parë.
Nga ana tjetër ai theksoi se nëse arrihet sot marrëveshja mes opozitës dhe maxhorancës, zgjedhjet ka gjasa të shtyhen.
“Opozita është optimiste, Basha është optimist. Dhe kryetarët e partive të tjera janë optimist, konstatoj se Rama është euforik dhe LSI ka shpallur si objektiv të jetë parti e parë. Unë besoj se do shtyhen zgjedhjet. Do hapet rruga për rikompozim koalicionesh”, tha Mustafaj.
Ndërsa për shtyrjen e zgjedhjeve, Mustafaj tha se opozita e ka kërkuar një afat të arsyeshëm që të implementohet marrëveshja.
“Nuk jam kostitucionalist, por do thosha se opozita ka kërkuar shtyrjen, ka kërkuar afat të arsyeshëm që të implementohet marrëveshja, se do ketë 4 ministra por duhet të përcaktohet me ligj një status për këta. Gjithë përcaktimi përcaktohet nga politika. Do votohet Vettingu, por tani kemi vëzhgues nga Bashkimi Europian. Ka disa aspekte që nuk janë teknike dhe prandaj kërkojnë kohë. Do të mungojnë tone euforike, marrëveshja do të bëjë të mundur të implementohen ato që parashikohen. Por duhet bashkëpunim, shoqëria shqiptare duhet të shohë disa alternativa që i afrohen”, tha Mustafaj.