Sulmet terroriste në Bruksel kanë prekur padyshim edhe botën e futbollit, por mbi të gjithë ata sportistë që jetojnë në shtetin belg.
Sulmuesi i Anderlecht, Matias Suarez në një intervistë të dhënë ka treguar momentet e panikut, kur u vu në dijeni të sulmeve terroriste të ndodhura në Belgjik:
“Në momentin e shpërthimit nuk ndodhesha në shtëpi, ishe duke shkuar në stërvitje si çdo ditë dhe në radio dëgjoj se kishte ndodhur një shpërthim. Ishte një moment i frikshëm. Tentova menjëherë të telefonoja familjen time, isha shumë i shqetësuar për ta, por fatmirësisht atyre nuk u kishte ndodhur asgjë.”
Më pas edhe rrëfimi i frikës për të ardhmen, me 27-vjeçarin që u shpreh se për arsye sigurie ai do të largohet nga Belgjika së bashku me familjen e tij, pasi i druhet faktit se një ngjarje e tillë mund të përsëritet sërish”
“Pas atentatit të ndodhur në Paris, situata ka ndryshuar shumë. Nëpër qendra tregtare sheh një numër më të vogël personash. Në Bruksel ka shumë lagje që janë të mbushura më xhihadist dhe isha i sigurt se një diçka e tillë do të ndodhte”.
“Kam diskutuar me bashkëshorten time dhe me agjentin tim dhe kemi vendosur që në qershor të largohem nga Anderlecht. E adhuroj Belgjikën, por për arsye sigurie do të largohem nga skuadra”, ka thënë Suarez i cili trajner i ka shqiptarin Besnik Hasi .