Telegrafi

Besnik Berisha: Aktakuza ndaj meje e ndikuar nga MPB-ja

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Besnik Berishës, ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Siç kanë shkruar mediat në Kosovë, Berisha akuzohet për “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

LEXO: Aktakuzë kundër Besnik Berishës për zbulim të fshehtësisë zyrtare

Lidhur me këtë ka reaguar Besnik Berisha.

Ai ka thënë se kjo aktakuzë është e pabazë dhe e ndikuar nga MPB-ja, siç ka thënë “për shkak të publikimit që e ka bërë lidhur me keqpërdorimet me pasaportat biometrike që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin edhe sot e kësaj dite”.

“Në vend që policia dhe prokuroria të ndërmarrin masa ndaj keqpërdoruesve që e dëmtojnë buxhetin e Kosovës, ngritet aktakuzë ndaj denoncuesit kinse për zbulim të fshehtësisë zyrtare”, ka vlerësuar Berisha.

Ja reagim i plotë i tij:

Sot u informova nga mediat se qenka ngritur aktakuzë ndaj meje për keqpërdorim të detyrës dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Deklaroj se kjo aktakuzë është e pabazë dhe e ndikuar nga MPB-ja, për shkak të publikimit që e kam bërë lidhur me keqpërdorimet me pasaportat biometrike që kanë ndodhur dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Në vend që policia dhe prokuroria të ndërmarrin masa ndaj keqpërdoruesve që e dëmtojnë buxhetin e Kosovës, ngritet aktakuzë ndaj denoncuesit kinse për zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Asnjë informatë apo dokument i klasifikuar si konfidencial apo sekret nuk e kam publikuar, kam publikuar vetëm keqpërdorimet që kanë ndodhë dhe që edhe tani vazhdojnë të ndodhin edhe sot, siç është rasti i tentimit të dhënies së kontratës rreth 20 milionëshe për prodhimin e pasaportave biometrike pa procedurë tenderuese, përkatësisht me procedurë të negociuar për kompaninë e favorizuar.

Mbetem pranë të gjitha denoncimeve që i kam bërë në prokurori,polici dhe media të shkruara dhe elektronike, duke qenë i vetëdijshëm për pasojat e fatin që e ka një denoncues sot në Kosovë. /Telegrafi/