Në mbarë botën, besimtarët myslimanë sot festojnë Kurban Bajramin, një prej festave më të mëdha islame. Edhe këtë vit nën masa antikovid, manifestimi qendror u mbajt në xhaminë e “Mustafa Pashës” në Çair, Shkup, i cili filloi prej orës 04:30 deri pas faljes së Namazit të Kurban Bajramit.
Në orën 05:56, besimtarët në Shkup falën namazin e Kurban Bajramit. Pas faljes së namazit, besimtarët myslimanë kanë uruar njëri tjetrin me mesazhe paqeje, mirësie respekti, dashurie dhe mëshire. Sipas traditës, myslimanët e festojnë këtë Bajram 3 ditë.
“Festa e Kurban Bajramit është festë e gëzimit të madh sepse me aktin e therjes të kurbanit besimtari e ngrit veten lartë duke shfaqur bindjen e vërtetë në një Zot, dhe kultivon moral të lartë, mbisundon epshin dhe emocionet.
Me këtë sakrificë për hir të Zotit synojmë të mbisundojmë ndaj materiales dhe epsheve tona. Festa e Kurban Bajramit formon ambientin e paqes dhe tolerancën në mes njerëzve, është festë e gëzimit të ndërsjellë, afrimit në mes njerëzve, kujdes ndaj të varfërve, shtrirja e dorës së pajtimit, i buzëqeshjes me të tjerët, i shërbimit ndaj të tjerëve, i gatishmërisë për vepër madhore dhe vetëdijes për të triumfuar e mira dhe e vërteta, ndaj të keqes.
E gjithë kjo ka një qëllim arritjen e kënaqësisë së Krijuesit tonë”, tha mes tjerash kryetari i BFI-së së RMV-së, reis ulema haxhi Shaqir efendi Fetahu.