Sot besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë Kurban-Bajramin. Për qytetarët e Kosovës, manifestimi qendror për territorin e Kosovës mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Manifestimi fillon në ora 5:15, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbajë Hetem Sopjani, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë.
Namazi i Kurban – Bajramit falet në ora 06:37 të cilit do t’i prij Jakup Çunaku, drejtor i Medresesë “Alaudin” në Prishtinë, ndërsa hytben mesazhin e Kurban – Bajramit do ta mbajë, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora.
Me rastin e festës së Kurban – Bajramit, Ditën e parë, kryesia e BIK-ut, organizon pritjen tradicionale në selinë e Kryesisë nga ora 9:00 deri në ora 12:00.