Site icon Telegrafi

Besimi në procesin zgjedhor

Zgjedhjet organizohen për zgjidhjen e problemeve me të cilat sfidohen dhe ballafaqohen qytetarët. Ato kanë për qëllim qytetarin e jo partitë politike. Si të tilla çdo mekanizëm që do ti stimulonte dhe motivonte qytetarët që të dalin në zgjedhje duhet të funksionalizohet dhe çdo mekanizëm që do të zbehte interesimin e qytetarëve për të dal në zgjedhje duhet evituar me urgjencë. Fakti i fundit i vendimit të KQZ-së për mos instalimin e kamerave në vëzhgimin e vendvotimeve, përjashtimi i gazetarëve gjatë këtij diskutimi, si dhe mos zgjidhja e ankesave që janë bërë pranë prokurorisë dhe gjyqësisë rreth çështjeve të ndryshme të ndërhyrjeve në vendvotime, zbehin interesimin në masë të konsiderueshme të qytetarëve për të dal në zgjedhje.

Kërkesa e disa partive politike për instalimin e kamerave për t’i vëzhguar vendvotimet ka ardhur si rezultat i një procesi jo të mirë të ruajtjes dhe numërimit të votave nga zgjedhjet e kaluara. Parregullsitë e mëdha, mashtrimet, frikësimi i votuesve, keqpërdorimet dhe manipulimet në vota, shkatërrimi i fletëvotimeve si dhe falsifikimi i rezultateve të votimit gjatë procesit zgjedhor të vitit 2007 na shtyn që të radhitemi edhe ne në radhët e partive politike që kërkojnë vëzhgimin e procesit zgjedhor me kamera. Shumë parregullsi nga zgjedhjet 2007 janë publikuar përmes incizimeve të telefonave mobil nga personat prezent gjatë manipulimeve. Sikur këto incizime të publikoheshin në kamerat zyrtare të KQZ-së dhe të kishte ndjekje penale ndaj manipulantëve me siguri se do të rritej kredibiliteti i procesit zgjedhor.

Rritja e kredibilitetit të procesit zgjedhor dhe vet aktit të zgjedhjeve nënkupton motivacion shtesë për qytetarët që të dalin në zgjedhje. Evidentimi dhe publikimi i parregullsive nga procesi i kaluar zgjedhor dhe mosmarrja e masave shtesë të sigurisë cenon rëndë kredibilitetin e këtij procesi si dhe interesin e KQZ-së për përgatitje të mira të zgjedhjeve. Përjashtimi i gazetarëve nga mbledhja ku u diskutua instalimi i kamerave në vend votime ishte lëshimi serioz i radhës që e bëri KQZ. KQZ nuk është institucion që duhet të mbaj në vete konspirancë, ai është themeluar që të ruaj pavarësinë e tij dhe të garantojë transparenc para votuesve-qytetarëve karshi proceseve të tilla me rëndësi.

Dritarja e vetme nga munden të informohen qytetarët janë mediat, ato paraqesin arterien kryesore të informimit dhe të ofrimit të institucionit me qytetarin. Fuqia mediatike paraqitet si pushteti i katërt brenda vendit në botën moderne karshi pushteteve të tjera tejet serioze. Ndërsa përjashtimi i mediave gjatë një procesi të tillë paraqet autoritarizëm oligarkik që prek direkt interesin e qytetarit dhe vë në dyshim transparencën e këtij institucioni. Vënia në dyshim e drejtësisë së institucionit, prej të cilit në masë të konsiderueshme varet qeverisja katër vjeçare e vendit do të cenonte në masë tejet serioze kredibilitetin e procesit zgjedhor 2009.

Koincidenca tejet e pakëndshme, që lenë gjurmë të dyshimit në këtë proces është aleanca Lushta (KQZ)-PDK-minoritetet ishte, fillimisht përjashtimi i mediave nga mbledhja vendimtare për këtë proces teknik e pastaj edhe votimi kundër vëzhgimit me kamera të vendvotimeve. Partia më e madhe në vend duke qenë e “bindur” në fitore dhe duke pas për qëllim masovizimin e pjesëmarrjes në zgjedhje nuk ka qenë dashtë në asnjë formë të jetë kundër këtij propozimi. Këtu duhet qartësuar qëllimi i zgjedhjeve dhe arsyeja se përse ato organizohen. Ato janë për qytetarin dhe për të duhet bërë çmos që ai të jetë i bindur që vota e tij do të jetë e ruajtur dhe do të shkoj aty ku ai ose ajo ka dëshiruar.

Të qenurit kundër mekanizmave sigurues nënkupton qoftë edhe pa dashje vullnetin për të shfrytëzuar organizimin jo të mirë të procesit zgjedhor dhe për të keqpërdor besimin e qytetarit.

Raporti përfundimtar i Misionit të Këshillit të Evropës për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (CEEOM V), i 28 marsit 2008 ka konstatuar shkelje serioze gjatë procesit zgjedhor 2007. Në këtë raport janë konstatuar parregullsitë në votime, në vendvotime të caktuara, që përbëheshin kryesisht nga “frikësimi i votuesve, keqpërdorimet dhe manipulimet në vota, shkatërrimi i fletëvotimeve si dhe falsifikimi i rezultateve të votimit”; ndërkaq, në Raportin e Sektorit të OSBE-së për monitorimin e sistemit ligjor të muajit maj 2009, konstatohet: “dështimi i prokurorëve në hetimin dhe ndjekjen e shpejtë dhe efektive të rasteve të pretenduara të mashtrimeve gjatë zgjedhjeve 2007”. Ky dështim i gjyqësorit zbeh rëndë imazhin e drejtësisë në kredibilitetin e zgjedhjeve 2009.

Tërë këto parregullsi të evidentuara do të dekurajojnë qytetarët për të marr pjesë në zgjedhje. Pjesëmarrja e gjertanishme në zgjedhje nuk ka siguruar as legjitimitetin popullor të pushtetit, ky precedent i proceseve zgjedhore nuk duhet lejuar që të vazhdoj. Partitë politike, institucionet relevante, madje edhe OJQ-të duhet të riorganizohen për dalje në zgjedhje dhe për ndryshimin e gjendjes përmes të drejtës qytetare të pakontestuar.

(Autori është sekretar i përgjithshëm i Partisë së Drejtësisë)

Exit mobile version