Site icon Telegrafi

Beshiri: Do ta shkruajmë historinë e hendbollit kosovar

Federata e Hendbollit e Kosovës, dje e ka marrë ftesën zyrtare për pjesëmarrje në kualifikimet për Kampionatin Botëror te vitit 2015 që organizon Federata Botërore e Hendbollit për grupmoshën U-21 në konkurrencën e meshkujve.

Shorti për këtë Botëror do të hedhet më 19 shtator 2014 në Dublin te Irlandës kur edhe mbahet Kongresi i 12-të i EFH-së, me ç’rast pritet edhe zyrtarizimi i FHK-së me të drejta të plota.

“Fillimisht është nder për gjeneratën që e përfaqësoj, pasi që do të shkruajmë historinë. Kemi mjaft kohë që të përgatitemi, prandaj na mbetet të punojmë shumë”, tha fillimisht kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës U-21, Oltion Beshiri, për Telegrafin.

“Përparësi e ekipit U-21 është pjesëmarrja e shpeshtë nëpër turne, përfshirë atë të Hungarisë dhe Kroacisë, që do të thotë se lojtarët janë mjaft të familjarizuar me njëri-tjetrin”, shtoi Beshiri.

Ndeshjet kualifikuese zhvillohen nga data 9-11 janar 2015 sipas grupeve, nga katër përfaqësuese, një vend i cili përcaktohet me short nga EHF, (faza e parë kualifikuese zhvillohet mes shteteve evropiane, kurse pjesa përfundimtare në një shtet, të cilin ma vonë e përcakton Federata Ndërkombëtare e Hendbollit nga data 19 korrik deri më 2 gusht të vitit 2015. /Telegrafi/ 

Exit mobile version