Site icon Telegrafi

Beshiri, Berisha, Hoxha, Jupa, Kabashi apo Zherka?

Anketohen hendbollistët, trajnerët, gazetarët

Për opinionin hendbolldashës të Kosovës sigurisht se interesimi më i madh është se cilit prej hendbollistëve do t’i takojë epiteti i më të mirit. Gazeta ‘Sport Plus’ ka marrë mendimet e disa hendbollistëve, trajnerëve, por edhe gazetarëve sportiv të cilët e kanë përcjellë hendbollin gjatë vitit të kaluar. Sigurisht se gazeta nuk ka për qëllim të ndikojë në komisionin që do të bëjë përzgjedhjen e hendbollistit, por ka marrë opinionet si të hendbollistëve, trajnerëve dhe gazetarëve sportiv. Në anketën e zhvilluar nga gazeta janë shumë hendbollistë që do ta meritonin epitetin e më të mirit, por sigurisht se, do të ishte e udhës që ndonjëri prej tyre të shpallet më i miri, pasi edhe vetë hendbollistët kanë votuar për shokët e tyre nga skuadrat tjera.

Përmenden sukseset vetjake

Në këtë anketë spikasin emrat e hendbollistëve si Arbër Berisha, Oltion Beshiri, Enis Kabashi, Florim Hoxha, Kastriot Jupa dhe Vlerson Zherka, emrat e të cilëve janë më të lakuarit se do të shpallen më të mirët. Në arsyetimet e tyre, si hendbollistët, trajnerët e po ashtu edhe gazetarët, i kanë përmendur edhe sukseset e tyre me skuadrat përkatëse. Por, ka pasur edhe të tillë që gjatë arsyetimit i kanë përmendur edhe sukseset vetjake, ndonëse skuadra e hendbollistit përkatës në vitin 2013 nuk ka shënuar ndonjë sukses të dalluar.

Votojnë edhe të huajt

Në këtë anketë kanë marrë pjesë edhe hendbollistë të huaj që luajnë në Kosovë, të cilët kanë qenë jashtë mase të sinqertë, duke thënë se u vjen vështirë të përmendin ndonjë emër, por për aq kohë sa janë ata në Kosovë (një stinor) kanë arritur t’i identifikojnë disa hendbollistë që nga ana e tyre janë cilësuar me karrierë të ndritshme. Madje ata gjatë anketës kanë përmendur edhe emrat e hendbollistëve të cilët nuk i kanë bashkëlojtarë.

Kush më i miri?

Hendbollistët, trajnerët dhe gazetarët i kanë përmendur këta hendbollistë, nga të cilët do të duhej të zgjidhej më i miri: Alban Dobroshi, Arbër Berisha, Enis Kabashi, Fidan Cimili, Florim Hoxha, Hamdi Salihu, Kastriot Jupa, Kreshnik Krasniqi, Oltion Beshiri, Shkelzen Kertoku dhe Vlerson Zherka (renditja është bërë sipas alfabetit. v.j.). /SportPlus/Telegrafi/ 

Exit mobile version