Një projekt interesant dhe që ka zgjuar kureshtje është ai nga Besart Zhuja.
Zhuja ka publikuar projektin “Hapi sytë” që erdhi i përbërë nga tre komponentë, një libër me të njëjtin titull, album me shtatë këngë dhe klipin “Nusja jonë”.
I ftuar në emisionin “Ora shtatë” në Klan Kosova, Zhuja ka folur në detaje rreth realizimit të këtij projekti.
Ai u shpreh se prej vitesh ka menduar realizimin e tij, por vetëm tani ka arritur ta finalizonte.
“Ka vite që e kam në mendje një projekt të tillë. Sa isha në studime në Austri kam marrë këngët arbëreshe duke shpjeguar për audiencën austriake imigrimin dhe kulturën shqiptare përgjatë shekujve. Ka dy vite e gjysmë që kanë nisur këtë projekt. Fillimisht shkova në arkivat digjitale të gazetave shqipe, ku gjeta shumë artikuj interesant duke e krahasuar të kaluarën dhe tashmë e shoqërisë tonë. Dhe gjeta disa këngë që vërtetë e sintetizonin idenë e muzikës dhe mesazheve që jepnin këto këngë me historinë tonë si komb”, ka thënë Besarti.
Duke folur për librin në të cilin janë të përfshira shumë ngjarje dhe histori të rëndësishme të vendit, Zhuja tha se forma e përzgjedhjes së tyre ka shkuar krahas projekteve muzikore që janë përfshirë në album.
“Secila këngë e projektit është futur në sistemin e metodologjisë dhe analizimit, flas për drejtësinë në kuptimin shekullor, për emigrimin, politika dhe edukimi në atë kohë, të gjitha këngët janë analizuar përmes librit”, u shpreh ndër tjera Zhuja.
Ndërkohë, ai tha se ende nuk e ka menduar nëse do ta kthej muzikën në profesion apo ta zhvilloj sikur deri më tani, si një ndër pasionet e tij më të mëdha. /Telegrafi/