Sulmuesi kosovar, Besart Berisha ka konfirmuar se do ta bartë fanellën e Kosovës.
Anëtari i skuadrës australiane, Melbourne Victory ka qenë më parë pjesë e Kombëtares shqiptare.
Ndërkohë ai në një prononcim për të përditshmen ‘Koha Ditore’, ka treguar se nuk do t’i bashkohet Kosovës në ndeshjen me Finlandën.
Për këtë Berisha ka dhënë arsyejet e tij që është në përgatitje me skuadrën Melbourne Victory.
“Është e vërtetë që dëshira ime është të jem pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Kam biseduar me trajnerin Albert Bunjaki rreth kësaj pune. Për momentin jemi në pritje se çka do të vendos FIFA. Për momentin në Australi është faza përgatitore deri në fund të muajit tetor dhe nuk kam mundësi të paraqitem në këto ndeshjet e para”, deklaroi Berisha për Kohën Ditore.
Gjithashtu prishtinasi ka deklaruar se do t’i bashkohet pas muajit tetor Kosovës nëse është në gjendje të mirë fizike. /Telegrafi/