Telegrafi

Besar Halimi flet publikisht për sherret që kishte me trajnerët te Brondby: Kam qenë shumë i zhgënjyer

Besar Halimi pas shumë takimeve ka qenë vendimtar për skuadrën e tij Brondby në Danimarkë.

Ylli i Përfaqësueses së Kosovës u inkuadrua në finalen e ‘Play-Off’-it nga banka rezervë për të shënuar gol në fitoren e Brondbyt 4-2 ndaj Randers.

24-vjeçari nga Gjilani edhe pse shënoi gol u dok i dëshpëruar pasi nuk ishte aktivizuar thuajse fare në ndeshjet e fundit nga trajneri Martin Retov.

Pas ndeshjes ai ka folur për mediat rreth sherreve që kishte me trajnerët e klubit Brondby, fillimisht me Alexander Zorniger pastaj edhe me trajnerin aktual Martin Retov.

“Kam qenë shumë i zhgënjyer sepse nuk luajta as në finalen e Kupës. Nuk kam pasur rast dhe natyrisht jam mërzitur rreth mënyrës se si u sollën me mua javëve të fundit”, u shpreh Halimi.

Reprezentuesi i Kosovës deklaroi se nuk është ndjerë i mirëseardhur nga trajnerët.

“Por tani ka përfunduar. Të them të drejtën, nuk u ndjeva i mirëseardhur këtu. Mirë nga fansat, por jo nga trajnerët. Por tani sezoni ka përfunduar”, thotë Halimi.

Halimi mund të largohet në fund të edicionit nga Brondby dhe mundësia është që ai të rikthehet në futbollin gjerman. /Telegrafi/