Përmes një reagimi dërguar Telegrafit Maqedoni, Lëvizja Besa konsideron se varfëria në vend është duke u thelluar nga papërgjegjësia e politikanëve.
Kjo Lëvizje mes tjerash thotë se ”përderisa po zgjatë teatri politik për shpalljen e “heronjve të rrejshëm të shekullit të ri në Maqedoni”, sipas një analize të publikuar rishtas nga BiEPAG (The Balkans in Europe Policy Advisory Group), një e treta e popullsisë së Maqedonisë jeton në varfëri të thellë. Edhe më shqetësues është fakti që kjo përqindje është më e lartë te popullata e re dhe te familjet me fëmijë, ndërsa kjo është edhe arsyeja kryesore për të cilën qindra mijëra qytetarë, veçmas shqiptarë, i braktisin vatrat e tyre për ta siguruar kafshatën e gojës.
Nga analiza e BiEPAG shihet se Maqedonia është me përqindje më të lartë të varfërisë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit. Kjo edhe një herë e vërteton faktin se zgjatja e krizës në Maqedoni, kryesisht është për shkak te papërgjegjësisë politike të përfaqësuesve te deritanishëm politikë, gjë që e ka ndihmuar më së shumti varfërimin e njerëzve.”
Për Lëvizjen Besa, ulja e tensionit politik do të ndikonte në uljen e përplasjeve dhe të stabilitetit që do të mundësonte përparimin e biznesit.
”Ulja e tensionit politik do të ndikonte në reduktimin e përplasjeve dhe rritjen e stabilitetit, duke krijuar kështu ambient për bizneset, me çka hapet mundësia për vende pune, që janë shumë të nevojshme për vendin. Krijimi i vendeve të punës duhet të jetë një prioritet i lartë për të siguruar më shumë të ardhura për familjet e varfra. Që të arrihet kjo sigurisht duhet pasur parasysh edhe eliminimin e pabarazisë ekonomike, sepse ulja e varfërisë nuk mund të mbështetet vetëm në zhvillim, por ajo gjithashtu duhet të përfshijë edhe masa që synojnë një shpërndarje të drejtë dhe proporcionale të buxhetit të shtetit.”/Telegrafi/