E ftuar në emisionin “Cherry on Top” të moderatores Bora Zemani, artistja shqiptare Besa Kokëdhima reflektoi mbi përvojën e saj në Eurovision, duke shprehur një ndjenjë krenarie për punën që ka bërë dhe për përkrahjen që ka marrë nga publiku.
Gjatë intervistës, Besa foli hapur për faktorët që ajo mendon se ndikuan në mos-kalimin e saj në finalen e madhe të “Eurovision 2024”.
“E kisha menduar që mund të mos kalonim në finale, pavarësisht se si përfaqësim i Shqipërisë ka qenë shumë i dinjitetshëm”, shpjegoi ajo, duke theksuar se kishte rrethana të ndryshme që punuan kundër saj. Ajo vëren se konkurrenca e fortë dhe dinamika midis shteteve të tjera që nuk kishin arritur të kalojnë në finale për disa vite, luajtën rolin e tyre.
Për sa i përket aspektit vizual të performancës, Besa zbuloi se nuk është realizuar nga ekipi shqiptar dhe se kishte një çmim shumë të lartë.
“Kur kemi marrë listën e çmimeve sa nuk na ra të fikët”, tha këngëtarja, duke treguar kostot e mëdha për elemente si zjarri dhe tymi që janë pjesë e shfaqjes skenike. “Vetëm për të mundësuar tym, fillon 15 mijë euro pa nisur dhe çdo sekondazh është tre deri në shtatë mijë euro”, u shpreh ajo, duke shtuar se performanca nuk përfshinte skena të tilla të shtrenjta.
E pyetur nëse ajo është performanca më e kushtueshme që ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision, Besa u përgjigj me modesti, “Nuk e di, nuk e besoj, thjeshtë është punuar shumë”. Ajo gjithashtu pranoi se ka shtuar para nga xhepi i saj për të realizuar shfaqjen, duke përfshirë një shumë me katër zero.
Përtej çmimit të performancës, Kokëdhima u shpreh se ishte e kënaqur me përfaqësimin dhe me atë që arriti të transmetonte përmes artit të saj. Ajo tha se dashuria dhe mbështetja që ka marrë nga publiku janë gjëja më e rëndësishme për të si artiste, dhe që ato e kanë motivuar të vazhdojë të përfaqësojë Shqipërinë me krenari. /Telegrafi/