Lëvizja Besa sot ka majtur mbledhje në Kryesinë Qendrore, ku kanë diskutuar për parimet bazë të bashkëqeverisjes me LSDM-në. Në këtë takim është formuar një komision i veçantë i cili sot edhe zyrtarisht do të fillojë bisedimet me mandatarin e ri, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Në frymë të premtimit për transparencë me votuesin shqiptar, Kryesia Qendrore e Besës e informon anëtarësinë e saj, por edhe opinionin në përgjithësi, se do të mbetet e përkushtuar në programin zgjedhor, me të cilin edhe garoi dhe mori besimin e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni në zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016. Për detajet dhe epilogun e bisedimeve opinioni do të informohet me kohë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Besa.