Site icon Telegrafi

Besa: Spitali Klinik i Tetovës keqmenaxhohet (Video/Dokument)

Përmes një reagimi dërguar Telegrafit Maqedoni, Lëvizja Besa konsideron se ”Spitali Klinik i Tetovës është bërë një qendër spitalore, ku njerëzit luten të mos kenë nevojë të shkojnë, sikur nuk mjaftonte kaq, menaxhmenti i këtij spitali – me sëmundjen kronike të paaftësisë – nuk arrin t’i realizojë as ato mjete që i ndahen.”

Më tej, kjo lëvizje thotë se ”ndonëse buxheti për këtë spital është më i vogël dhe diskriminues, në krahasim me atë të spitaleve të Shtipit dhe Manastirit, për shkak të menaxhimit të dobët Spitali Klinik i Tetovës nuk arrin t’i shfrytëzojë edhe ato pak mjete të destinuara si buxhet vjetor. Fakti që edhe Fondi Shëndetësor edhe spitali kanë drejtues kuadro të BDI-së, flet shumë për atë se sa janë të përkushtuar nga kjo parti që qytetarëve të Tetovës me rrethinë t’ju ofrojnë shëndetësi cilësore.

Totali i mjeteve që nuk shfrytëzohen janë gjithsej 31.246.653 denarë ose rreth 508 mijë euro, ndërsa në anën tjetër pacientët ankohen për shërbime të dobëta shëndetësore, ngase detyrohen vetë t’i blejnë barnat dhe materialet gjatë qëndrimit në spital, ka mungesë të aparaturës dhe hapësirave, ndërsa kushtet në spital janë gati primitive, duke pamundësuar funksionim normal për personelin mjekësor dhe për pacientët.

Departamenti i Shëndetësisë i Lëvizjes Besa konsideron se politika shëndetësore, e udhëhequr nga binomi OBRM-BDI, e ka shkatërruar në masë shëndetësinë publike në Maqedoni, shërbimet e së cilës kryesisht i shfrytëzojnë qytetarët shqiptarë, kjo për shkak të gjendjes së rëndë sociale.

Me këtë realitet të hidhur ballafaqohen pacientët e Tetovës, Gostivarit, Strugës, por edhe ata në klinikat e Shkupit, ku qytetarët për çdo ditë ballafaqohen me vështirësi dhe janë të privuar që të marrin shërbime cilësore shëndetësore, gjë që jo rrallë u kushton edhe jetë.” thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa. /Telegrafi/

Exit mobile version