Në dy ndeshjet tjera të Superligës së Kosovës në futboll, Besa ka arritur të fitojë në udhëtim ndaj Gjilanit me rezultat minimal 1-0, ndërsa Ferizaj-Liria kanë përfunduar pa fitues, pasi kanë rezultat të bardhë 0-0.
Në ndeshjen e parë mes Gjilanit dhe Besës, rasti i parë në ndeshje i takoi vendasve që provuan me Berat Ahmetin në minutën e 18, teksa tentuan edhe disa herë në këtë pjesë, por pa sukses dhe pjesa e parë përfundoi me rezultat të bardhë.
Edhe në pjesën e dytë u zhvillua ndeshje e njëjtë, ku gjilanasit ishin për një nuancë më të mirë, por golin e fitores e gjetën pejanët të cilët shënuan në minutën e 83 me anë të Xhevdet Shabanit, dhe në fund ndeshja përfundoi me fitoren e Besës me rezultat 1-0.
Në ndeshjen tjetër, pjesa e parë e takimit i takuar në tërësi vendasve të Ferizajt, të cilët kanë provuar disa herë të shënojnë golin e epërsisë, teksa ishin afër në minutën e 25 kur goditën shtyllën me Bardhin, por rezultati në pjesën e parë mbeti i pandryshuar.
Në pjesën e dytë, Ferizaj vazhdoi trysninë drejt prizrenasve, duke kërkuar me doemos golin e epërsisë, por nuk arriti të gjej as në këtë pjesë, duke lëshuar dy pikë nga dora, pasi ndeshja përfundoi me rezultatin e fillimit 0-0. /Telegrafi/