Ka qenë Trepça ’89 si palë e tretë ajo që ka bërë ankesë në Shkallën e dytë, të cilët kanë kërkuar që ndeshja Tefik Çanga – Besa e Pejës e përfunduar në fushë 0:2, të regjistrohet me rezultat zyrtar, pasi lojtari i Besës, Leotrim Bekteshi, nuk ka pasur të drejtë loje.
Shkalla e Dytë e Komisionit për Ankesa e ka aprovuar ankesën e 89-shit dhe takimin e ka regjistruar me rezultat zyrtar 3:0 për Tefik Çangën, shkruan GazetaOlle.com.
“Ndeshja është regjistruar me rezultat zyrtar 3:0 për Tefik Çangën. Trepça ’89 ka pasur të drejtë ankese si palë e tretë dhe Komisioni pasi ka konstatuar se lojtari i Besës, Leotrim Bekteshi nuk ka pasur të drejtë loje, e ka anuluar vendimin e Komisarit të Garave”, theksoi Adem Qollakaj, zyrtar i FFK-së për GazetaOlle.com.
Sipas tij, Bekteshi, ish lojtar i Trepçës ’89, është ndëshkuar me karton të verdhë në takimin me Trepçën dhe më pas në finalen me Feronikelin, dhe nuk ka pasur të drejtë aktivizimi me Tefik Çangën. Në të njëjtën mënyrë u eliminua edhe Feronikeli, pas ankesës së KEK-ut, ndaj të cilëve kishin fituar në fushë, por humbën 3:0 në tavolinë.